Planifikimi i ndërtimit të një shkolle në lagjen “Frashër”, në afërsi të gypave të sistemit të ujitjes së “Ibër Lepencit”, ka nxitur reagimin e kompanisë, e cila ka paralajmëruar Komunën dhe punëkryerësit për rrezikun që u kanoset banorëve në rast të pëlcitjes së gypave. Nga Komuna e Mitrovicës këtë e shohin më shumë si presion politik. Ndërsa thonë se nuk mund të largohen më shumë se 25 metra, ose ndryshe duhet të heqin dorë nga ndërtimi i shkollës
Komuna e Mitrovicës i ka dhënë leje ndërtimit të një shkolle në lagjen “Frashër” në Mitrovicë, afër së cilës ndodhen gypat e sistemit të ujitjes së kompanisë “Ibër Lepenc”. Por, kjo ka nxitur reagim nga kompania, e cila ka alarmuar Komunën dhe punëkryerësit për rrezikun që u kanoset banorëve.
Ajo, në mes të vitit të kaluar, i ishte drejtuar Komunës me një letër – të cilën e ka siguruar KOHA – e cila thotë se në rast të pëlcitjes së gypit dëmet janë të pariparueshme.
“Ndërtimi mbi ose afër gypave të sistemit të ujitjes 700 është me rrezikshmëri të lartë dhe dëmet në rast të pëlcitjes së gypit janë të pariparueshme”, thuhet në letër.
Aty thuhet se “gypat të cilët kalojnë në zonën kadastrale të fshatit Frashër, Komuna e Mitrovicës, furnizojnë me ujë për ujitjen e tokave bujqësore fushën e Mitrovicës rreth 1700 ha dhe bartin sasi të madhe të ujit me presion deri në 8 bar”.
“Në rast të plasjes së gypit të profilit 700, rrezja goditëse e ujit mund ta kalojë distancën mbi 50 metra dhe rrjedhimisht dëmton edhe gypin tjetër i cili gjendet afër tij me profil të njëjtë, me çka rritet edhe rrezikshmëria për dëme më të mëdha”, thuhet në letër.
Nëse kjo ndodh, dëmet e shkaktuara në objekte ndërtimore, sipas “Ibër Lepencit”, do të jenë të pariparueshme, posaçërisht në rast të ndërtimit të shkollës në afërsi të gypave, ku mund të rrezikohet jeta e fëmijëve.
Kjo lagje, që është bashkëfinancim mes organizatës joqeveritare nga Katari “Qatar Charity” dhe Komunës së Mitrovicës, ka filluar së ndërtuari në 2019 për familjet në nevojë.
Në fillim të lagjes, ku është paraparë ndërtimi i shkollës, ndodhen gypat e sistemit të ujitjes së “Ibër Lepencit”. Por, sipas drejtorit teknik të “Iber Lepencit”, Demë Abazi, ndërtimi duhet të bëhet më larg se 50 metra nga gypat, shkaku i rrezikut të pëlcitjes së gypave.
“’Ibër Lepenci’ nuk merr përgjegjësi për jetët e fëmijëve si dhe dëmet materiale që mund të shkaktohen në objekte në rast të plasjes së gypave. Gjithashtu, intervenimi për sanimin e dëmeve do të jetë i pamundur për shkak të ndërtimeve mbi gypat e sistemit të ujitjes”, ka theksuar Abazi.
Komuna thotë se nuk e dinte vendndodhjen e gypave
Por, Komuna e Mitrovicës thotë se nuk ka qenë në dijeni se ku ndodhen gypat. Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, thotë se nuk kanë pasur asnjë dokument nga “Ibër Lepenci” për gypin që pretendon se ndodhet atje.
“Normal, me ta marrë vesh këtë gjë, kemi marrë një shkresë nga ‘Ibër Lepenci’, ku ata kërkojnë një distancë prej 50 metrash, mirëpo kjo kërkesë është bërë pasi ka përfunduar gjysma e projektit dhe duke dashur që t’i dalim përballë kësaj kërkese, ne kemi zhvendosur projektin dhe mbi gypa ku është dashur të ndërtohet shkolla do të ndërtohet një fushë e sportit, ndërsa shkolla do të ndërtohet 25 metra nga gypi”, ka theksuar ai.
Ka kërkuar një dokument nga kompania apo rregullore që përcakton distancën që po e kërkon kompania.
“Fatkeqësisht, ne nuk mundemi që krejt këtë investim ta rrezikojmë për një shkresë nga ‘Ibër Lepenci’. Ne vetëm do të informojmë se kemi kërkuar nga ta të na tregojnë se me cilën rregullore specifikohen këto distanca dhe ku nuk kemi marrë asnjë kërkesë të tillë, ku ata na sugjerojnë një distancë të tillë”, ka theksuar ai.
Mujka e konsideron të motivuar politikisht shqetësimin e “Ibër Lepencit”
Mujka po e konsideron këtë shkresë të “Ibër Lepencit” të motivuar politikisht.
“Më shumë e kemi kuptuar këtë si një presion politik, pasi ndërmarrja është politikisht e ndikuar”, ka theksuar ai.
E sheh si absurde kërkesën për largim 50 metra nga gypi.
“Unë mendoj që të mos ndërtohet një shkollë në kushte ekonomike që ka Kosova për një propozim për 50 metra, pothuajse është absurde. Nuk po dua ta relativizoj rrezikun, mirëpo eksperienca e gjertanishme tregon se kemi qindra objekte të ndërtuara mbi këtë gyp. Pra, e gjithë kjo po më doket pa sens”, ka thënë Mujka.
Por, nga “Ibër Lepenci” e kanë mohuar një gjë të tillë.
“Ne si ndërmarrje e kemi thënë se nuk marrim përgjegjësi për dëmet e shkaktuara, aq më tepër kur kemi të bëjmë me fëmijët. Mendoj që Komuna, para se të reagojmë ne, duhet të jetë e vetëdijshme për sigurinë e nxënësve”, ka thënë Abazi, që është drejtor teknik në “Ibër Lepenc”.
“KOHA” ka disa ditë që ka provuar të marrë një përgjigje nga organizata që po ndërton lagjen për të pyetur për këtë çështje, por ajo nuk ka qenë e qasshme.
Projekti mes Komunës së Mitrovicës dhe organizatës “Qatar Charity” parashihet të ketë 40 shtëpi për përfituesit me kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim, një shkollë, një shtëpi të shëndetit, katër lokale afariste, një objekt të destinuar për shfrytëzim nga organizata dhe një xhami.
Ndërsa, Komuna e Mitrovicës, në cilësinë e bashkëfinancuesit, ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme, me qëllim të ndërtimit të shtëpive për arsye humanitare, si dhe do ta marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje.
Projekti për ndërtimin e lagjes “Frashër” është me sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh.