Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe i Zhvillimit të Komunës së Prishtinës, Genc Bashota, ka mbajtur një konferencë shtypi të martën. Ai ka theksuar se pritet që ta shpallë kompaninë që do ta ndërtojë parkingun nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë.
Për të ai ka theksuar se parkingu nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë do të ketë kapacitet prej së paku 500 vendparkimesh.
Më tej, ai ka thënë se ky është projekti i parë sipas partneritetit publiko-privat, vlera investuese e të cilit është 12 milionë euro.
Sipas tij, kohëzgjatja e koncesionit do të zgjasë nga 25 vjet deri në 40 vjet.“Janë 13 mijë e 990 metra katrorë, minimum do të jenë 500 parkime. Hapësira mbi sipërfaqe do të kthehet në park, edhe tashti ka gjelbërim, por duhet t’i jepet shpirt asaj hapësire. Lokale do të ketë vetëm në rrugën ‘Xhorxh Bush’, afër Radio-Kosovës”, ka thënë Bashota.
Ai ka bërë të ditur se deri tashti janë paraqitur 6 kompani që janë në garë për kualifikim. “Në muajin nëntor të këtij viti pritet të nënshkruhet kontrata me operatorin për ndërtimin e këtij parkingu, proces i cili pritet të zgjasë 18 muaj”, ka theksuar Bashota (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).