Oborri i ish-çerdhes ‘Ardhmëria’ në Ferizaj, është hapësira e vetme e gjelbër që ka mbetur në këtë komunë, e paraparë për park.
Por, pushtetarët kanë marrë vendim që këtë hapësirë ta kthejë në parking, për një periudhë kohore prej 11 muajsh, raporton KTV.
Ky vendim i Komunës po kundërshtohet ashpër nga ambientalistët, të cilët thonë se qyteti po ngulfatet nga betonimi.
Për ta kundërshtuar planin e komunës, janë bërë bashkë pozitë e opozitë.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, u shpreh se opozita së bashku me shoqërinë civile, janë duke bërë ‘shumë zhurmë për asgjë.’
Aliu thotë se ky park i cili do të kthehet në parking, do ta mundësojë zhdukjen e dukurive negative që ndodhin në këtë hapësirë.
Në mbrojtje të hapësirës së vetme të gjelbër në Ferizaj, të premten, shoqëria civile ka organizuar marsh paqësor, nën moton ‘Mos e betononi gjelbërimin.’
Këtë hapësirë, e cila për 11 muaj do të përdoret si parking, kryetari Aliu ka premtuar se sërish do ta rikthejë në hapësirë të gjelbër, me kushte më moderne.