Ilir Osmanaj
Në hapësirat e ngushta të katit të dytë të Pallatit të Kulturës, tash e dhjetë vjet funksionon me vështirësi të mëdha biblioteka e qytetit të Pejës, “Azem Shkreli”.
Në një hapësirë prej vetëm 200 metrash katrorë gjenden raftet me mbi 40 mijë libra. Në mungesë të hapësirës, mijëra libra të tjerë janë vendosur në korridor.
Tri sallat e leximit janë tepër të vogla e të pamjaftueshme për mijëra nxënës e studentë, që gjatë vitit i shfrytëzojnë ato për lexim e mësim. E ankesat janë të shumta.
“Si lexues me mjafton me pasë vetëm një libër me lexu. Por në qoftë se me duhet me punuar edhe në laptop, me marrë referenca prej librit, ose me pas edhe një fletore ku shkruaj, atëherë nuk është që mi plotëson. Edhe nuk ka qasje për rrymë me lidh laptopin”, ka thënë studenti Pajtim Krasniqi.
Ankesa ka edhe drejtoresha e bibliotekës.
“Hapësira e bibliotekës nuk është e mjaftueshme sepse standardet evropiane e kërkojnë që biblioteka nuk është vetëm huadhënie e librit, por shfrytëzohen në hapësirat e bibliotekës, që do të thotë sallat e leximit sa më shumë me pas edhe biblioteka duhet të kenë edhe aktivitete tjera”, ka thënë Shengyl Kelmendi-Gashi, drejtoreshë e bibliotekës “Azem Shkreli”.
Drejtoresha tregon se vite me radhë po kërkon prej komunës ndërtimin e një objekti të ri të bibliotekës, por deri tash s’ka lëvizur gjë.
E në Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport, që gjendet një kat më poshtë bibliotekës, pranojnë se hapësira në Pallatin e Kulturës është e ngushtë dhe e papërshtatshme për bibliotekë.
“Nga udhëheqja e komunës, nga kryetari i komunës kemi një premtim se do ta bëjë një konkurs ndërkombëtar për një bibliotekë të re. Ta gjejë lokacionin jo larg qendrës së qytetit”, ka thënë udhëheqësi i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Aver Husaj.
Lokacioni për ndërtimin e objektit të bibliotekës veç ekziston 200 metra larg Pallatit të Kulturës, në hapësirën ku më herët ishte çerdhja e parë e qytetit.
Drejtori i Urbanizimit, Rajan Arapi, konfirmoi se me Planin Zhvillimor Komunal 2020-2028, ai lokacion është caktuar për ndërtimin e bibliotekës së qytetit.
Mirëpo, aty komuna po ndërton parking publik me arsyetimin e nevojës së madhe për parkingje publike në qytet.
Sipas Arapit, lokacioni mund të shfrytëzohet vetëm përkohësisht si parking.
“Plani zhvillimor është i miratuar dhe nuk ka mundësi mu ndryshua. Plani zhvillimor nuk ka mundësi të revidohet. Përndryshe vetëm nëse fillojmë me bë një plan komplet të ri, sepse plani zhvillimor është i paprekshëm”, ka thënë Rajan Arapi, drejtor i Urbanizmit.
Pavarësisht se lokacioni është i përcaktuar për bibliotekë me plan zhvillimor, drejtori i Financave, Jeton Abazaj, pohon se për ndërtimin e bibliotekës komuna ka në fokus një lokacion tjetër.
Ideja, sipas tij, është që të rrënohen dy objektet e vjetra komunale dhe të shpronësohen dy prona private dhe aty të ndërtohet objekt i ri i komunës dhe objekti për bibliotekë.
“Ndoshta më shumë është pengë lokacioni sesa buxheti. Pavarësisht se buxhetin ndoshta kishim mund, kishim pas mundësi buxhetore që me futë në buxhet, por për shkak të lokacionit dhe për shkak të shpronësimeve eventuale nuk kemi mund me futë në buxhet të vitit 2022”, ka deklaruar Abazaj.
Ai shpreson që deri në vitin 2023 apo 2024 të nisë jetësimi i kësaj ideje në atë lokacion, ndonëse pranon se realizimi i tij do të jetë goxha i vështirë.