Arbëri

Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup bllokon rrugën Kaçanik - Hani i Elezit – shoferët të frustruar

I bllokuar ka qëndruar të premten aksi rrugor Kaçanik - Hani i Elezit, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 11:00.

E, pas dy orësh të lejimit të qarkullimit të automjeteve, rruga është mbyllur sërish, raporton KTV.

Kjo po ndodh për shkak të punëve që po kryhen në autostradën që do të lidhë Prishtinën me Shkupin.

Për këtë arsye, të premten janë krijuar kolona të gjata. Në krijimin e kolonave ka ndikuar edhe greva në Aeroportin e Prishtinës, e cila ka bërë që shumë qytetarë ta zgjedhin Aeroportin e Shkupit.

Të frustruar kanë qenë shoferët, të cilët kanë frekuentuar këtë rrugë.

Ata janë shprehur të pakënaqur, gjersa thonë se kanë përjetuar vështirësi gjatë kalimit në rrugën alternative.

Udhëtarët do ta frekuentojnë këtë rrugë 2-kilometërshe e të paasfaltuar edhe në ditën në vijim.

Rruga do të jetë e mbyllur deri më 22 shkurt, fillimisht nga ora 08:00 deri në orën 11:00, e pastaj nga ora 13:00 e deri në orën 15:30.