Arbëri

Ndërrimi i viteve me Kohavisionin

Kohavision edhe në natën e ndërrimit të moteve do të sjellë një program të veçantë. Në orën 19:40 gjithçka do të nisë me programin ”Në kërkim të Babadimrit” dedikuar fëmijëve. Për më të vegjlit, në kuadër të programit festiv, do të transmetohet edhe koncerti televiziv i korit “Siparantum Kids”, drejtuar nga dirigjenti Memli Kelmendi.

Në ora 20:20 nis programi qendror festiv, i cili fillon me koncertin “Mes Yjesh” të kantautorit kosovar Dren Abazi, në shoqërim të “Zig Zag Orchestra”. Tutje nga ora 22:00 shikuesit do t’i shoqërojë performanca e ansamblit vokal “Zanat” në shoqërimin e pianistit dhe dirigjentit të njohur kosovar, Edon Ramadani, me interpretimin e disa prej këngëve me të cilat u rritën gjenerata të tëra si “Vet ke mbet”, “O moj bukuroshe” dhe “Këngë moj buçit në male”.

Pjesa muzikore do të plotësohet edhe me performancën e shumë këngëtarëve të tjerë si: Hysni Klinaku, Faton Isufi, Denik Prizreni, Neki Emra, Mentor Mripa, Gjovani, Vjollca Luka, të cilët do të sjellin edhe këngë të cilat janë realizuar ekskluzivisht për programin festiv dhe që bazën e kanë tek ritmet e muzikës folklorike.

Në natën më të gjatë të vitit do të vijë edhe maratona tradicionale me filma të përzgjedhur e që këtë herë është tejet e veçantë.

Dyshja Ymer Bajrami dhe Lindita Hakaj do të sjellin bllokun e tyre me mbi 10 këngë të përzgjedhura për t’i dhënë festës edhe më shumë kuptim. Të shoqëruar nga bendi i tyre, Bajrami dhe Hakaj do të sjellin repertor që prek të gjitha trojet shqiptare nga jugu deri te Shqipëria e Mesme dhe ajo e Veriut. Tutje hapësira qendrore është rezervuar për këngëtarin e njohur nga Gjakova, Edi Furra, i njohur për shtrirjen vokale dhe interpretuese dhe i cili ekskluzivisht për programin e Vitit të Ri sjell dy potpuri të punuara me shumë përkushtim, e pikërisht kjo muzikë do të prekë ndërrimin e moteve në KTV, duke uruar një vit po kaq të veçantë.

Përveç muzikës popullore, nuk do të mungojë as muzika pop, hip-hop dhe R'n'B me këngëtarë të zgjedhur, si: Ana Kabashi, Fajt, Valëza Zogaj, Gadaf, Master, dyshja Cha Cha Darabuka, Rema Canolli e shumë të tjerë. Humori i përgatitur me shumë delikatesë është ndarë në shtatë skeçe dhe është pagëzuar me titullin “Çka ka n’2020?” e në role kryesore paraqiten disa prej aktorëve të njohur kosovarë, si: Ilir Prapashtica, Xhejlane Tërbunja, Teuta Krasniqi dhe Blend Sadiku.

“Mes Yjesh” me Dren Abazin

Image

Në pritje të vitit 2020, shikuesit e Kohavisionit do të kenë mundësinë ta ndjekin koncertin e Dren Abazit. “Mes Yjesh” është udhëtim i magjishëm jo vetëm nëpër repertorin e kantautorit kosovar, por edhe disa prej hit-këngëve të viteve ‘40 dhe ‘80. Mbrëmjen e 31 dhjetorit, duke nisur nga ora 20:20, Kohavisioni sjell koncertin i cili shënoi edhe 10-vjetorin e Abazit si solo-artist në skenën e muzikës shqiptare. “Disko Boy”, “Natën”, “Dasma”, “Kur je me mu” dhe “Mbreti i natës” janë këngë të njohura tashmë të kantautorit që do të vijnë në kuadër të këtij koncerti. Në këtë koncert, Abazi vjen i shoqëruar nga 13 muzikantë të “Zig Zag Orchestra”, në mesin e të cilëve edhe bas kitaristi i njohur i skenës kosovare, Luan Osmani, por shoqërohet edhe nga Rinor Ukimeri në tastierë, Bekim Rexhepaj në klarinetë, Arian Brendi dhe Brikel Guga në alt-saksofon, përkatësisht në tenor saksofon, Xhino Daja në trumbetë, Ilir Vorpsi në trombon, në harqe paraqiten Greta Radovani, Blerina Metollari, Herida Duro dhe Ejona Nako, ndërsa në vokalpërcjellës, këngëtarja kosovare, Jehonë Lumi.

Ndeja me pizhame dhe shkëlqim e 1 janarit

Image

Nata e parë e Vitit të Ri 2020 është rezervuar edhe për ndejën më të madhe të showbizit në fundvit. “Op Labi Party 2020” do të vijë në ekranin e Kohavisionit nga ora 21:30 me një përmbajtje të veçantë. Mes tyre vjen edhe ndeja e yjeve në shtëpinë e nikoqirit të mbrëmjes duke shikuar ekranin televiziv, respektivisht performancën e mysafirëve. “Op Labi Party” sjell këtë herë një format në mes ”reality show-t” dhe një koncerti televiziv madhështor. Mes lojës dhe muzikës së interpretuar nga emra të njohur të estradës shqiptare, më të dashurit e estradës përveç në kostume plot shkëlqim do t’i shini edhe në pizhame tek presin Vitin e Ri në shtëpinë e rezervuar për ta. Mes emrave që këtë vit do të jenë pjesë e programit janë: Ramadan Krasniqi - Dani, Gjiko, Shkurta Gashi, Lori, Gold Ag, Buraku, Besnik Çaka, Shyhrete Behluli, Engjëllushë Salihu, Albina Kelmendi e të tjerë.

Në kërkim të Babadimrit

31 dhjetor

19:40

Image

“Koha” kalon në botën e fëmijëve. “Koha Ditore” zbulon të vërtetën e Babadimrit e edhe edicioni qendror i lajmeve në Kohavision shtrihet tërësisht në dimension të tij. Fëmijë të shumtë pushtojnë redaksinë e “Kohës” pasi marrin vesh se njeriu i tyre i dashur fshihet aty derisa “Rubikoni” sjell intervistën ekskluzive që demaskon të rriturit që shtiren sikurse janë Babadimri. Forca e fëmijëve mposht botën e të rriturve dhe i merr ata me vete në festën e Vitit të Ri së bashku me Babadimrin e së vërtetës dhe dashurisë.

“Sportisti i vitit 2019”

1 janar

19:40

Image

Ceremonia e përvitshme “Sportisti i Vitit 2019”, që përcakton më të mirët në fushën e sportit gjatë vitit, do të transmetohet si rëndom në natën e parë të Vitit të Ri në KTV. Njëmbëdhjetë çmime do të ndahen nga personalitete të njohura për publikun e që janë pjesë e Grupit KOHA, ndërsa ceremonia edhe këtë vit do të drejtohet nga Bujar Mehmeti dhe Florije Konjuhi. Një pjesë e veçantë në kuadër të ceremonisë do t’i dedikohet ish-futbollistit Luan Prekazi, i cili nderohet me çmimin e themeluar për të nderuar personalitete për arritje kulmore në sport.

Tash e disa vjet, ky çmim, përveçse mban emrin e kampiones olimpike, Majlinda Kelmendi, edhe u ndahet laureatëve nga vetë ajo. Në ceremoni është kujtuar edhe doajeni i gazetarisë sportive, Agim Binaku, i cili u nderua me mirënjohje "Post-Mortem" për kontributin e dhënë në zhvillimin e gazetarisë sportive në vend. Nuk do të mungojnë edhe befasitë e tjera.

Festa pa luks me emisionin “038”

1 janar

20:20

Image

Edicioni festiv i emisionit “038” do të vijë me një format të veçantë larg darkave e festimit luksoz. Të ftuarit në emision do të shpërndajnë ushqim për të moshuarit në njërën nga qendrat e dedikuara për ta dhe bashkë do ta hanë darkën e fundvitit, në menynë e së cilës ka fasule. Trafiku e parkingjet në kryeqytet, si probleme, me të cilat përballet secili banor, janë pjesë e diskutimit të darkës në emisionin “038”. Më shumë mund të zbuloni në mbrëmjen e 1 janarit nga ora 20:20.

“Rexhai Surroi 2019”, tradita që vazhdon

2 janar

15:00

Image

Ceremonia e përvitshme e shpërblimit “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar dhe letërsi do të transmetohet më 2 janar. Në edicionin e 12-të, sikurse edhe herë të tjera, u ndanë tri shpërblime, ai për vepër jetësore që sivjet iu nda doajenit të gazetarisë, Zenun Çelaj, çmimi për gazetari të shkruar, që u nda në mes të gazetareve Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe Serbeze Haxhiaj dhe shkrimtarit Bashkim Hoxha për romanin e tij “Kronikat e Mjegullës”. Një tjetër moment i kësaj ngjarjeje qe edhe promovimi i librit ”Koha e lules”, një përmbledhje me prozë dhe poezi nga Martin Camaj.

“Express 2019” me ngjarjet që shënuan skenën kulturore

2 janar 17:15

Image

Ngjarjet kryesore që shënuan skenën kulturore gjatë vitit 2019 kanë qenë në fokus të emisionit “Express”. Sukseset, sfidat, dështimet dhe shumëçka tjetër që ka përcjellë këtë sektor, janë mbuluar me kujdes të veçantë, dhe në datën 2 janar do të vijnë të përmbledhura në emisionin “Express 2019”. Duke nisur nga suksesi më i madh, prezantimi i Filarmonisë së Kosovës në Paris e deri tek dështimi më i madh që konsiderohet të jetë humbja e 15 milionë eurove të zotuara për sallën koncertale në kryeqytet, kultura do të vijë e përmbledhur në një emision të veçantë.

Në përmbledhjet e këtij viti do të flasim edhe për sukseset e filmit kosovar në botë, shfaqjet e inskenuara në Teatër e Balet, paraqitjen e Kosovës në bienale artistike ndërkombëtare, si dhe për lajmin që nxiti reagimet më të mëdha në botën kulturore shqiptare, çmimin “Nobel” për mikun e diktatorit Slobodan Milosheviq, Peter Handke. “Express” sjell edhe storiet e veçanta, si profile me personalitete të ndryshme dhe intervista me aktorë, këngëtarë e piktorë të ndryshëm. Në këtë edicion festiv do të vijnë edhe lajmet nga showbizi vendor dhe ndërkombëtar, si dhe të arriturat në kinematografinë e Hollywoodit.

Ooops-at e vitit 2019

2 janar

20:20

Image

Një prej rubrikave më të popullarizuara në skemën televizive kosovare është Ooops-i në “Interaktiv”. Përmbledhja e gafave të politikanëve të monitoruara nga gazetarët e kameramanët e Kohavisionit, si dhe editimi kreativ nga dhomat e montazhit do të vijnë të përmbledhura në plot 70 minuta. Përveç lapsuseve të politikanëve dhe figurave të jetës publike kosovare, në Ooops vijnë edhe incidentet që njerëzit kanë kaluar në ngjarje publike, por edhe ato private. Nuk do të mungojnë as videot e dërguara nga teleshikuesit përmes rrjeteve sociale. Cilët janë protagonistët e Ooops-it 2019, do t'i rikujtojmë mbrëmjen e 2 janarit nga ora 20:20.

“Jehonë” me stil të veçantë

2 janar

21:30

Image

Koncerti recital i Jehonë Lumit, të cilin këngëtarja e ka titulluar “Jehonë”, do të vijë në ekran për shikuesit e Kohavisionit mbrëmjen e 2 janarit. Koncerti përfshin 10 këngë, nga të cilat një është autoriale dhe këngët e tjera janë të vjetra të përpunuara me një stil të veçantë dhe jo të dëgjuar më parë. Këngëtarja Lumi përmes këtij koncerti ka dashur të kthejë vëmendjen te disa këngë të vjetra, të cilat nuk e kanë pasur asnjëherë vëmendjen e duhur dhe vijnë të përmbledhura për adhuruesit e muzikës pikërisht në atmosferë feste. Mysafir i mbrëmjes në koncertin e Lumit është edhe instrumentisti Shaqir Hoti, bashkëpunimin me të cilin këngëtarja e ka cilësuar privilegj derisa në këtë rrugëtim është e shoqëruar edhe nga disa prej instrumentistëve më të dalluar kosovarë.

Koncerti festiv i Filarmonisë së Kosovës

3 janar

19:30

Image

Koncerti i Vitit të Ri i Filarmonisë së Kosovës do të vijë në transmetim të premten mbrëma nga ora 19:30. Solistët e mbrëmjes, sopranot Adelina Paloja, Arta Jashari, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi-Ramadani, mexosopranoja Teuta Kurti, kontratenori Safet Berisha, tenori Luan Durmishi, baritonët Armando Likaj dhe Adhurim Grezda do të sjellin interpretimin e pjesëve nga epokat e ndryshme stilistike, me theks të veçantë tek klasicizmi dhe repertori romantik. Në drejtimin e indonezianit Noorman Widjaja do të vijë edhe interpretimi tashmë tradicional i marshit “Radetzky” nga kompozitori Johann Strauss, që tashmë njihet edhe si kolona zanore e festës së Vitit të Ri. Ky koncert njëherësh edhe e ka përmbyllur serinë e organizimeve në shënim të 70-vjetorit të themelimit të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë.