Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve me partitë parlamentare rreth zgjedhjes së presidentit të vendit.
Në fjalën e tij, Kurti falënderoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për takimet e zhvilluara, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mbetet e gatshme të zhvillojë bisedime edhe me PDK-në dhe Aleancën, pavarësisht refuzimit të deritanishëm të këtyre partive. Pas takimit të parë, Hamza i PDK-së ka thënë se më nuk kanë për çka të takohen për shkak se kanë vendosur të jenë në opozitë. E bisedimet me LDK-në është paralajmëruar se do të vazhdojnë.
VIDEO:
“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot”, deklaroi Kurti në Kuvend.
Ai shtoi se konstituimi nuk duhet të përfundojë me shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke kërkuar kohë shtesë për diskutimet për çështjen e presidentit.
“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.
Edhe
Çfarë ndodhi dje në Kuvend
Pas kësaj, Dehari e ndërpreu senacën. Për vazhdimin e saj, kryesuesi ka thënë se do të njoftoheni me kohë.
Kuvendi ka kohë për konstituim deri nesër.