Arbëri

Ndërpritet greva, rifillojnë shërbimet për pastrimin e mbeturinave në Ferizaj

Sindikata e punëtorëve në Kompaninë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastërtia” ka vendosur për ta ndërprerë grevën dhe të rikthehen të gjitha shërbimet për mbledhjen e mbeturinave. Sipas drejtuesve të sindikatës, këtë vendim e kanë marrë për hir të qytetarëve pasi që depozitë e mbeturinave janë krijuar gjithandej qytetit dhe fshatrave përreth.

Ndërkaq në Komunën e Ferizajt janë zotuar se në të ardhmen do të përkrahen punonjësit varësisht nga të hyrat e kompanisë, megjithëse ditë më parë menaxhmenti i kompanisë ua pati rritur nga 50 euro pagën secilit punonjës, por një gjë e tillë nuk ishte pranuar.

Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, ka thënë se komuna e ka përkrahur kompaninë me 1.2 milionë euro për projekte të ndryshme në mirëmbajtje dhe pastrim të rrugëve dhe shërbime të tjera. Sipas Halilit, greva është ndërprerë për shkak se komuna pati vendosur që të kontraktojë kompani private pasi u krijua gjendja emergjente nga grumbullimi i mbeturinave.

“Kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët për shkak të grumbullimit të madh të mbeturinave të cilat nuk janë pastruar disa ditë me radhë shkaku i grevës së punëtorëve, ndërkohë ne kemi planifikuar që të kontraktojmë ndonjë kompani private sipas ligjeve në fuqi shkaku që u krijua një gjendje emergjente me çështjen e mbeturinave. Mirëpo nga mëngjesi ekipet e kompanisë janë pajtuar me rritjen e pagave prej 50 euro dhe ndërkohë ua kemi shtuar edhe nga 25 euro secilit punonjës për shujta të ushqimit”, ka thënë Halili.

Sipas tij, punonjësit do të përkrahen edhe në të ardhmen nëse krijohen kushtet në kompani.

“Gjatë vitit të fundit në këtë kompani janë shtuar rreth katër mijë konsumatorë të ri, ndërkohë po synojmë që edhe pesë mijë të tjerë të futen në sistem gjatë së ardhmes. Prandaj me këto të hyra presim që të rriten sërish pagat e punëtorëve”, ka shtuar Halili.

Në anën tjetër Mexhid Ramusa, kryetar i sindikatës së punëtorëve në KRM “Pastërtia”, ka thënë për KOHËN, se që nga mëngjesi janë rikthyer shërbimet për mbledhjen e mbeturinave të qytetarëve.

“Këtë vendim e kemi marrë për hir të qytetarëve të cilët kanë mbetur pa shërbime tash e disa ditë, ndërkaq si sindikatë nuk jemi pajtuar me rritjen e pagave prej 50 euro sepse ne kemi kërkuar që ato të rriten së paku 100 euro shkaku i rritjes së inflacionit. Pra, po e ritheksoj se punonjësit me 300 euro nuk kanë arritur t’i mbajnë familjet e tyre, prandaj kemi kërkuar të drejtat tona, por për hir të qytetarëve ne e kemi ndërprerë grevën në mëngjes dhe të gjitha ekipet kanë dalë në terren për t’i mbledhur mbeturinat”, ka thënë Ramusa.