Arbëri

Nderohen me medalje pjesëtarët e FSK-së që ndihmuan në kërkim-shpëtim në Turqi

Ka ateruar në aeroportin e Prishtinës aeroplani me të cilin janë kthyer nga Turqia pjesëtarët e FSK-së që ndihmuan në operacione të kërkim-shpëtimit.

Sipas transmetuesit publik në aeroport pjesëtarët janë pritur nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. 

Me të arritur ata janë nderuar me medalje nga FSK-ja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar ushtarët e FSK-së për guximin e treguar.

“Këto medalje të merituara janë dëshmi e vëmendjes sonë dhe mirënjohjes për guximin që keni treguar në Republikën e Turqisë pas tërmetit fatal me përmasa shumë të mëdha tragjike, që e kanë tronditur edhe popullin e Kosovës. E di që 39 pjesëtarë të FSK-së ishin në Hatay e zona tjera të goditura nga tërmeti. I falënderoi sikurse ata që ishin në kërkim-shpëtim urban, po ashtu edhe mjekët edhe ata që u kujdesën për të plagosurit. E dimë se së paku janë shpëtuar 4 jetë nga ana e juaj, dhe mbi 50 kufoma janë nxjerrë nga rrënojat në Hatay nga ju. Është obligim i yni humanitar, por edhe detyrë e jona si partnere e aleate e shtetit dhe popullit mik të Turqisë, që t’u gjendemi në ndihmë në ditë të vështira”, ka thënë Kurti.

Asi ka thënë se lidhja e Kosovës dhe Turqisë është forcuar edhe më tej.

“Misioni u realizua nëpërmjet jush, që pa humbur kohë u nisët brenda disa orëve në Turqi e qëndruat deri tash duke u përpjekur me krejt çka dini e mundeni, që të shpëtoni jetë e të nxirrni njerëz nga rrënoja. Padyshim populli i Kosovës e Republika jonë i ka forcuar edhe mëtej lidhjet e saj me popullin e Republikën e Turqisë”, ka thënë Kurti.


Mehaj: Puna e pjesëtarëve të FSK-së në Turqi flet më shumë për ta se secili prej nesh

Për arritjen e pjesëtarëve të FSK-së ka shkuar edhe ministri Mehaj.

“Rastet e tilla të fatkeqësive janë momentet të cilat përcaktojnë miqtë dhe karakterin e vërtetë të secilit, dhe në këtë rast, gatishmëria e menjëhershme e pjesëtarëve të FSK-së për të ofruar ndihmën tuaj në operacionin e kërkim-shpëtimit miqve tanë turq, tregon për një fisnikëri e ndjenjë mirësie që tejkalon njerëzoren”, ka shkruar Mehaj në Facebbok.

Sipas tij puna e këtyre pjesëtarëve flet shumë më shumë për ta se secili prej nesh.

“Këta janë krenaria jonë, heronjtë tanë që përveçse shpëtuan jetë njerëzore treguan edhe nivel të lartë profesionalizmi. Çfarëdo fjale miradie nuk shpreh mjaftueshëm mirënjohjen ndaj ushtarëve tanë, megjithatë i falënderoj edhe një herë. Ndërsa ky rast tregon se dallimi ndërmjet kombeve është i papërfillshëm kur bëhet fjalë për jetët njerëzore, këtu lidhja mes shteteve bëhet më e fortë e shumë reale”, ka shkruar Mehaj.

Ai ka theksuar se ata janë “heronjtë tanë dhe krenaria jonë më e madhe”.

“Këtë ndjenjë mirënjohje e pamë edhe sonte kur në mesin e familjarëve kishte edhe shumë qytetarë të komunitetit turk, të cilët nuk kishin familjar në mesin e ushtarëve tanë, por që shpirtërisht me këtë akt humaniteti të treguar nga ana e FSK-së, i ndjenin të afërt, e po i prisnin ashtu si nëna pret djalin, apo motra, vëllanë”, ka shkruar Mehaj.

Ekipi i FSK-së udhëtoi për në Turqi dy javë më parë për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmetit shkatërrues 7.8 ballë Rihter që tronditën Turqinë e Sirinë.

Si pasojë e tërmetit janë regjistruar mbi 47 mijë viktima në Turqi e Siri.

{gallery}