Arbëri

Nderohen dëshmorët e Komunës së Prishtinës

dëshmorët e Komunës së Prishtinës

Me shënimin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës janë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Velani.

Presidentja Vjosa Osmani  tha se kjo ditë kujton vlerat për të cilat ranë dëshmorët dhe se kujtimi për ta është i përhershëm.

"Dëshmorët janë themeli i lirisë sonë. Kujtimi për ta nuk është vetëm nderim, por zotim se do të punojmë çdo ditë për një shtet të drejtë, të barabartë dhe dinjitoz, ashtu siç e ëndërruan ata", theksoi ajo.

I pari i kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa po ashtu bënë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani.

Rama nderoi sakrificën e dëshmorëve për lirinë dhe demokracinë e shtetit të Kosovës. Ai tha se 18 prilli është dita kur nderohen dëshmorët e Prishtinës, për çka potencoi se të rënët për lirinë e Kosovës “do t’i kemi në zemrat tona”.

“Në këtë ditë madhështore, 18 prilli dita kur edhe i nderojmë dëshmorët, sidomos ata të rrethit të Prishtinës, të Gollakut. Jam këtu me komandant Remin dhe me shokët e tij, luftëtarët e UÇK-së që kemi ardhur së bashku dhe vijmë çdo herë në këtë ditë për të nderuar sakrificën e dëshmorëve, heronjve tanë. Njerëzve të mëdhenj, familjeve po ashtu që na kanë mundësuar që sot ta gëzojmë lirinë, demokracinë dhe të jemi në një fazë ku edhe planifikojmë për zhvillimin e të ardhmes, të vendit tonë, të popullit tonë. Lavdi të gjithëve. Kjo ditë do të jetë e tillë për çdo vit e mot, çdo herë. Dëshmorët e heronjtë tanë i kemi gjithmonë në zemrat dhe mendjet tona”, tha Rama.

Ndërkaq,  Mustafa pas homazheve me bashkëluftëtarët e tij, tha se 18 prilli është një ditë e madhe për Prishtinën pasi nderohen dëshmorët e këtij vendi.

Ai theksoi se sakrifica e të rënëve do të nderohet përgjatë kohë.

“Sot është ditë e madhe për Prishtinën, është dita e dëshmorëve të Komunës së Prishtinës. I uroj të gjithë qytetarët, familjet e dëshmorëve, ushtarët e UÇK-së dhe qytetarët në përgjithësi... Po i nderojmë me ato mundësi që i kemi dhe do t’i nderojmë për gjatë”, tha Mustafa.

Homazhe bënë edhe pranë shtatores së heroit të Zahir Pajaziti.

Për homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me kabinetin e tij qeveritar.

I njëjti nuk u prononcua për media.

Tek varrezat për homazhe erdhën edhe familjarë të dëshmorëve e qytetarë të tjerë.