Pamja përplot mbeturina i shoqëron çdo ditë banorët e rrugës “Muharrem Fejza”. Mirëpo jo vetëm në këtë rrugë, problemi me mbeturinat është në çdo cep të qytetit.
Pavarësisht cilësisë së dobët të menaxhimit të mbeturinave, kompania regjionale “Pastrimi” ka kërkuar nga Komuna që ta ngrejë çmimin e faturës nga 4.06 në 6.20 euro.
Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Petrit Reçica, ka thënë që është shumë e nevojshme ngritja e tarifave për shkak të përmirësimit të gjendjes së brendshme të ndërmarrjes.
“GIZ-i ka bërë matjet se si duhet të jetë çmimi, pra ata e kanë bërë llogaritjen e tarifave. Me aq sa di si pasojë e kësaj do të kemi ngritje edhe unë e mbështes normalisht këtë ngritje të çmimit për shumë arsye. Në baza normale ne do të duhej të operonim me 50 kamionë në Prishtinë, tanimë i kemi 22 kamionë në dispozicion megjithatë ne jemi duke bërë përpjekje që ta rrisim cilësinë dhe numrin e kamionëve. Tarifa duhet të rritet, sepse shpenzimet operative dhe çmimet e tregut kanë ndryshuar, sidomos siç është pjesa e derivateve. Kurse ne kemi shpenzime shumë të mëdha edhe në deponi”, ka thënë Reçica.
KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, mirëpo drejtori Ilirik Musliu nuk ka pranuar që të prononcohet në lidhje me këtë çështje.
Me miratimin e rregullores së re Komuna do t’i lejojë“ Prishtina Parkingut” që t’i lirojë banorët rezidentë të lagjeve nga pagesa, për veturën e parë. Nga 30 centë ora, tani do të jetë 50 centë në të gjitha parkingjet me laura.
“Do ta kem një zgjatje të orarit të punës deri në orën 23.00 për të gjitha zonat e kryeqytet. Sipas vlerësime tona që i kemi implementuar në zonën e parë të kryeqytetit kanë rezultuar jashtëzakonisht të suksesshme dhe në favor të banorëve rezidentë dhe kjo pritet të shtrihet në zonën 2. Pagesa e parë për banorët rezidentë eliminohet plotësisht, mirëpo vazhdon të jetë detyrimi për regjistrim të njëhershëm dhe nuk do të ketë nevojë për pagesë nga banorët rezidentë për adresën e tyre. Supozojmë që unë jam banor i rrugës “B”, banorët që jetojnë në këtë rrugë nuk do të kenë obligim që të paguajnë për parkim në këtë zonë. Mirëpo në zonat e tjera të qytetit duhet të paguajnë sikur qytetarët e tjerë”, ka deklaruar kryeshefi i “Prishtina Parkingut”, Sokol Havolli.
Sipas opozitës nuk mund të flitet për ngritje të çmimeve kur nuk ka cilësi nga këto ndërmarrje. Me theks të veçantë nuk ka menaxhim të mirë të mbeturinave në kryeqytet.
“Problemi është se ata po synojnë ta rrisin çmimin e egrumbullimit të mbeturinave, e nuk ofrojnë kurrgjë. Ju thash bëni punët mirë e pastaj fillo me i rritë çmimet sepse qytetari ndoshta pajtohet kur ua kryen shërbimet si duhet”, ka thënë Bahri Gashi, shef i asamblistëve të AAK-së në Prishtinë.
Edhe pse u thirr seancë e jashtëzakonshme nga kryetari Përparim Rama, të premten e kaluar, për miratimin e rregulloreve të reja për “Pastrimin” dhe “Prishtina Parkingun”, seanca u anulua pas një ore me kërkesën e tij.
Shkak për këtë u bënë partnerët qeverisës, PDK dhe LDK, të cilët kishin mosmarrëveshje mes vete.
Megjithatë seancë për të enjten e ardhshme ka thirrur kryesuesi i Kuvendit, Pëllumb Bajçinovci, e që në rend të ditës është edhe miratimi i rregulloreve të reja për këto dy ndërmarrje.
Për amvisëritë jorezidente tarifa e pagesës për mbeturina nga 16.48 euro në vit do të bëhet 17.8 euro. Bizneset e mesme në qendër të qytetit do të paguajnë nga 11 euro në muaj, në 12 euro.