Arbëri

Ndërmarrja “Eko-Llapi” nuk pritet të nisë punën para vitit 2024

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 12 tetor që të themelojë Ndërmarrjen Publike Lokale “Eko-Llapi”. Megjithatë, kjo ndërmarje nuk pritet të ofrojë shërbime këtë vit. Zyrtarët komunalë kanë theksuar se para se të fillojë të funksionojë “Eko-Llapi” duhet të zgjidhen këshilli i aksionarëve, bordi, menaxhmenti e punëtorët

Ndërmarrja Publike Lokale “Eko Llapi”, për të cilën Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e saj, nuk pritet të fillojë të funksionojë këtë vit. Zyrtarët komunalë kanë thënë se para se të ofrojë shërbime kjo ndërmarrje duhet të zgjidhet këshilli i aksionarëve, i cili do ta zgjedhë Bordin e pastaj menaxhmenti dhe punëtorët. Krejt kjo nuk pritet të bëhet para muajit dhjetor. Ndërkohë, funksionimi i saj, sipas zyrtarëve komunalë, pritet të fillojë tek në vitin e ardhshëm.

“Për shkak të procedurave dhe legjislacionit është e pamundshme që ne të kryejmë ndonjë shërbim këtë vit. Sipas parashikimeve tona kishte qenë shumë e mirëseardhur me arrit, mirëpo është sipas fazave, hapave të aplikimeve, afateve kohore është e pamundshme me arrit me krye ndonjë shërbim me këtë ndërmarrje këtë vit. Mirëpo viti që po vjen, do të jetë një vit shumë i mirë për Podujevën, pasi që kemi shërbime më cilësore edhe me një kosto shumë më të ulët”, ka thënë Vigan Salihu, drejtor për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Podujevës.

Drejtori Salihu ka theksuar se pas funksionalizimit të kësaj ndërmarrje ajo do të merret me trafikun urban, mirëmbajtjen e kanalizimeve, gjelbërimin, shtretërit e lumenjve, varrezat, parkingjet, disa hapësira banesore dhe shërbimet e dezinfektimin, dezinsektimin dhe derratezimin.

“Ky vendim është marrë si rezultat i vendimit që kemi marrë në Kuvendin Komunal për themelimin e kësaj ndërmarrje... Qëllimi ka qenë që me një kosto sa më të ulët me e mbuluar mirëmbajtjen e gjithë këtyre sektorëve të cilat i cekëm”, ëstë shprehur Vigan Salihu. “Sipas parashikimeve tona kemi planifikuar që në vitin e ardhshëm me subvencionu këtë ndërmarrje me një vlerë prej 100 mijë eurove ku përmes këtyre mjeteve ndërmarrja do të furnizohet me makineri dhe pajisje të nevojshme. Siç jemi të informuar edhe prej natyrës financiare ne kemi të drejtë që 20 për qind të pagesave të vlerës së kontratës t’i bëjmë avans pagesa”, ka theksuar ai.

Për shërbimet me të cilat pritet të merret kjo ndërmarrje, Komuna e Podujevës çdo vit ka shpenzuar rreth 400 mijë euro. Ndërsa tash, sipas drejtorit Salihu, kostoja do të jetë shumë më e ulët, kurse shërbimet më cilësore.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës Komuna e Podujevës do të ketë 100 për qind të aksioneve në NPL “Eko-Llapi”.

“Komuna e Podujevës autorizohet që të veprojë në emër të aksionarit të vetëm NPL "Eko-Llapi" Sh. A. dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e ligjshme duke përfshirë regjistrimin sipas Ligjit Nr.02/L-016 për Shoqëritë Tregtare; 3. Komuna e Podujevës, të drejtat e saj të aksionarit do t'i ushtrojë nga Komisioni Komunal i Aksionarëve, në emër të Komunës përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi; 4. Obligohet Komuna e Podujevës për zbatimin e këtij vendimi.; 5. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Me vendim të Qeverisë të enjten janë themeluar edhe dy ndërmarrje të ngjashme, përkatësisht Ndërmarrja publike "Dardana Sh.A. Kamenicë" dhe Ndërmarrja Publike Lokale "Eko-Theranda Sh.A."