Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Franca në formate të ndryshme kanë shprehur pritshmërinë, që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e deritashme dhe të ndërmarrin veprime në funksion të normalizimit të raporteve. Të njëjtën pritje e kanë shprehur edhe ndaj lidershipit të Serbisë, që do të dalë pas zgjedhjeve të kësaj të diele
Diplomatët ndërkombëtarë kërkuan nga autoritetet e Kosovës e edhe nga lidershipi i Serbisë, që do të dalë pas zgjedhjeve të kësaj të diele, që t’iu qëndrojnë pas obligimeve të marra në Bruksel.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O’Brien, tha se pret nga Qeveria e re serbe të punojë drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Kosovën.
“Populli serb mund të votojë si të dojë. Çfarë ne presim nga Qeveria është që t’i përmbahet marrëveshjes që ka bërë në lidhje me Kosovën. Në muajt e fundit ne kemi parë përparim. Disa nga çështjet kryesore kontestuese kanë filluar të adresohen, si ajo e targave, e doganave dhe ne kemi nevojë që të vazhdojnë kur qeveria e re të marrë drejtimin dhe duhet të shohim progres të mëtejmë”, ka thënë O’Brien.
E, në një diskutim të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, bëri thirrje që Prishtina zyrtare t’i kryejë detyrat e saj e të ecë para drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Edhe publikisht, edhe privatisht po i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë disa gjëra. Ndonjëherë dëgjojnë, ndonjëherë jo, qoftë kjo qeveri apo qeveritë e mëparshme”, ka thënë ambasadori Rohde.
Diplomati gjerman është ankuar se autoritetet në Kosovë kërkojnë ndihmën e ndërkombëtarëve për procese të caktuara, sikur është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, por nuk dëgjojnë edhe kërkesat.
“Ne lëshojmë deklarata për vendime të caktuara të Gjykatës Kushtetuese, të cilat mendoj se duhen dëgjuar nëse dëshiron të bëhesh anëtar. Duhet të bësh detyrat e shtëpisë”, ka thënë ai.
Ambasadorët kanë kërkuar disa herë që Kosova ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me pronat e Manastirit të Deçanit. Por, ai nuk ka gjetur zbatim ende.
Ndërkaq, në një raport të përgatitur nga ekspertët, për qëllim të procesit të anëtarësimit në KiE, janë listuar disa kërkesa, e që më kryesoret, sipas njohësve, janë ajo për zbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses për pronat e manastirit, si dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Më konkret në kërkesat ndaj Kosovës u tregua ambasadori i Francës, Oliver Guerot.
“Bëni gjërat dhe të gjithë e dini se çfarë janë ato, ose kolegët e dinë saktësisht se çfarë pritet. Bëhet fjalë për asociacionin, depërshkallëzimin. Ka gjëra, që priten, por në një çështje më të përgjithshme tregohet se ju intereson normalizimi, sepse ky është çelësi”, ka thënë ambasadori Guerot.
Kryeministri Albin Kurti ka pranuar draftin e statutit të Asociacionit, që është propozuar nga ndërkombëtarët, por ka kushtëzuar formalizimin e pranimit, me nënshkrimin paraprak të Marrëveshjes Bazë e edhe të Aneksit të Zbatimit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do t’i nënshkruajë këto dokumente dhe nuk do t’i zbatojë disa nga pikat që ato përmbajnë.