Mbi 560 zyrtarë policorë që punojnë nëpër pikat kufitare, mes të tjerash, edhe në ato në veri të vendit, i kanë marrë vetëm 60 euro shtesë të rrezikshmërisë e jo nga 100 siç patën shpresuar.
Në ditën kur janë ekzekutuar pagat e nëntorit, bashkë me shtesat e rrezikshmërisë në mënyrë retroaktive, kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, tha se ka pranuar numër të madh ankesash.
“Pikave kufitare nuk ua kanë ekzekutuar nga 100 euro sipas vendimit të Qeverisë, por vetëm nga 60 euro dhe këtu u shpreh pakënaqësia. Nuk e dimë se cila është arsyeja pse është bërë ky ndryshim, na mbetet të marrim informacione ose të bëjmë kërkesa qoftë tek qeveria apo kushdo qoftë që e ka bërë ndryshimin e këtyre shtesave në këtë rast tek e njëjta njësi, njësi kufitare janë edhe pikat kufitare edhe pjesa tjetër që e kontrollon kufirin dhe për ne ka qenë e pakuptimt dhe e paarsyeshme dhe kanë shprehur pakënaqësi”
KOHA ka kërkuar në Polici informata nëse zyrtarët policorë nëpër pika kufitare janë pjesë e njësive patrulluese, por se nuk ka marrë përgjigje.
E Zeqiri u shpreh se zyrtarët policorë nuk janë të kënaqur që nga propozimi që është bërë për shtesat, pasi, sipas tij, ato janë përgjysmuar krahasuar me ato para implementimit të Ligjit për paga.
“Paqartësi apo diskriminim ka qenë edhe tek disa njësi të tjera, nga të cilat kam pranuar ankesa se në të njëjtin vend të punës dikush ka marrë shtesë më të lartë, dikush pak më të ulët. Kjo na mbetet si sindikatë të dimë se kush e ka bërë këtë ndryshim dhe pse ky ndryshim brenda njësive të kemi ndryshim të shtesës për rrezikshmëri”
Sipas vendimit të Qeverisë, shtatë kategori të pozitave në Polici do t’i marrin shtesat që sillen nga 45 deri në 150 euro. Më së shumti do të marrin pjesëtarët e njësive elitare, nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë. E më së paku policët që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, 50, respektivisht 45 euro shtesë.