Arbëri

Ndalohet qarkullimi i autobusëve ndërurbanë në qendër të Prizrenit

Autobusëve ndërurbanë që transportojnë udhëtarët nga Prizreni për në Suharekë e Prishtinë prej 1 shtatorit u është ndaluar qarkullimi nëpër qendër të qytetit me vendim të Komunës së Prizrenit. Shoqata e transportuesve është pajtuar me këtë vendim, por ka kërkuar që Komuna e Policia të respektojnë zotimet e tyre për vendosjen e rregullit në dalje të Stacionit të Autobusëve

Komuna e Prizrenit ka marrë vendim që nga data 1 shtator të ndalojë qarkullimin e autobusëve ndërurbanë nëpër qendër të qytetit.

Sipas autoriteteve lokale, kjo vendimmarrje synon shkarkimin e trafikut dhe vendosjen e rregullit.

Sami Gavazaj nga Shoqata e Transportuesve Privatë “Kosova e Lirë”, ka theksuar se sfida që duhet adresuar nga Komuna e Policia është tollovia eventuale me daljet nga Stacioni i Autobusëve.

“Ata e kanë dhënë një premtim. Nëse ata e realizojnë premtimin edhe ne do ta realizojmë. Nëse nuk e realizojnë ata premtimin ne s’kemi rrugëdalje, sepse 120 nisje kanë me dalë prej një dere. E kjo ishalla realizohet. Ne jemi për me u realizu, nuk jemi për me e blloku. Nuk jemi për bllokada”, ka thënë Gavazaj.

Shaqir Totaj, kryetar i Komunës, ka bërë të ditur se përgatitjet për zbatimin e këtij vendimi janë bërë në koordinim me Shoqatën e transportuesve dhe Policinë, dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë ndonjë pakënaqësi individuale, shkaku i praktikave të deritanishme.

“Qëllimi që arrihet me këtë është se shkarkohet trafiku urban nëpër qytet dhe autobusët më shpejtë do të dalin te lagjja ‘Dardania’ dhe do të vazhdojnë me lëvizë për Prishtinë. Autobusët urbanë, të cilët lëvizin nëpër qytet, natyrisht se do të lëvizin dhe do të tentojmë që ata të kenë frekuencë më të shpeshtë, në mënyrë që të mund t’i transportojnë udhëtarët deri te Stacioni i Autobusëve, nga ku ata do të lëvizin për Prishtinë”, ka thënë Totaj.

E, Islam Ukimeraj, drejtor i Inspektorateve, ka deklaruar se në bashkëpunim me organet ligjzbatuese janë bërë përgatitjet për zbatimin e këtij vendimi, ku prej fillimit do të ketë udhëzime për transportuesit.

“Ne kërkojmë nga të gjithë operatorët që të shfrytëzojnë linjën e autobusëve nga tranziti i ri në drejtim të Suharekës dhe të Prishtinës dhe nuk do të shqiptojmë gjoba deri në momentin që ata do të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit të vendosura nga Komuna e Prizrenit”, ka thënë Ukimeraj.

Një vendim i ngjashëm për ndalimin e qarkullimit të autobusëve ndërurbanë nëpër qendër të qytetit ishte marrë edhe gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës në Prizren, por qe anuluar, si rrjedhojë e pakënaqësive të operatorëve ekonomikë të transportit të udhëtarëve.