Arbëri

Ndalohen mbrëmjet e maturës e ekskursionet për nxënësit në kryeqytet

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka vendosur që të gjitha aktivitetet jashtëkurrikulare, si mbrëmjet e maturës dhe shëtitjet t’i pezullojë përkohësisht. Drejtues të shkollave në kryeqytet thanë se vendime të tilla nuk mund të merren aty për aty, teksa nxënësit u shprehën të zhgënjyer

Të gjitha aktivitetet jashtëkurrikulare, si mbrëmjet e maturës, semimaturës, ekskursionet e ditët e shkollave, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka vendosur t’i pezullojë përkohësisht.

Gjatë së mërkurës, nga kjo drejtori nuk ofruan shpjegime për vendimin, e në njoftimin e një dite më parë thuhet se ajo po harton një draftrregullore për përcaktim të qartë të këtyre organizimeve.

Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Haxhi Metaj, tha se për pezullimin e këtyre aktiviteteve janë informuar të martën përmes emailit dhe pa konsultim paraprak. Sipas tij, vendime të tilla nuk mund të merren aty për aty.

“Nuk e kemi ditur më herët për vendimin. Ne i kemi kontraktuar, sidomos fjala është për mbrëmjet e maturës. Për ekskursione është diçka tjetër, po besoj se kjo nuk është në rregull dhe besoj se DKA-ja e ndryshon këtë vendim”, ka deklaruar drejtori Metaj.

Drejtori Metaj theksoi se të premten është dita e shkollës që udhëheq dhe këtë kanë planifikuar ta shënojnë me një shëtitje nëpër Kosovë. 

Prindërit e fëmijëve kanë dorëzuar mjetet e kërkuara, por Metaj u shpreh se nuk e di çfarë do të ndodhë.

Ndërsa nxënësit e këtij gjimnazi në kryeqytet u shprehën të zhgënjyer me vendimin e fundit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

“Aktivitetet e ekskursionet janë pjesë e shkollës në të cilat nxënësit kanë eksperienca të ndryshme, sepse shkojnë me arsimtar e kanë aktivitete të ndryshme”, u shpreh nxënësja Hera Maliqi.

Nxënësja Erona Gosalci ka argumentuar se as ata nuk pajtohen me këtë vendim.

“Ka qenë një vendim shumë i padrejtë, për arsye se nxënësit gjatë kësaj kohe kanë një ngarkesë shumë të madhe gjatë kohës mësimore, kështu që këto aktivitete janë mjaft të mira për të liruar një lloj stresi prej të gjitha mësimeve që i kanë”, tha nxënësja Erona Gosalci.

Kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Nexhmi Hoxha, ka njoftuar se të mërkurën është takuar me drejtorin e Arsimit, Samir Shahini, dhe tha se një tjetër takim do ta ketë të premten me të.
Hoxha ka thënë se zyrtarët e DKA-së i kanë thënë se ky është një vendim i përkohshëm, derisa të merret një vendim i plotë për të gjitha këto aktivitete. 

Po ashtu ka thënë se vendimi është marrë si pasojë e shumë parregullsive dhe manipulimeve, të cilat janë bërë dhe po bëhen në organizime të tilla. 

“Me këtë rast, DKA-ja do të mundohet që të bëjë një rregullore, e cila do t’i rregullojë të gjitha këto organizime, përfshirë këtu mënyrën, kohën, formatin, kodin etik dhe gjithçka që lidhet me organizime të tilla”, ka thënë Hoxha.