“Natyrisht që kjo është një situatë që kërkon edhe nga ne si rregullator që të jemi shumë më të vëmendshëm ndaj përmbajtjeve programore që lidhen me raportimet e luftës në Ukrainë”, ka thënë Violeta Hyseni-Kelmendi, anëtare e KPM-së
Prishtinë, 27 shkurt - Për shkak të propagandës ruse për sa i përket konfliktit me Ukrainën, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) e ka parë të domosdoshme që të ndalojë përkohësisht programet ruse në platformat kabllore në Kosovë.
Violeta Hyseni-Kelmendi, anëtare e KPM-së, e ka arsyetuar vendimin e këshillit me luftën ndaj dezinformimit.
“Natyrisht që një vendim i tillë ka qenë i domosdoshëm, duke pasur parasysh edhe sulmet që po ndodhin në vazhdimësi dhe raportimet e shumta që po ndodhin për agresionin rus ndaj Ukrainës”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se si këshill kanë kërkuar nga mediat që të kenë sa më shumë kujdes kur raportojnë në kohë krizash si kjo e Ukrainës.
E, për ditët në vazhdim, Hyseni-Kelmendi ka njoftuar se do të monitorojnë mediat nëse po i zbatojnë vendimet e udhëzimet e KPM-së si pjesë e politikave kundër “fake news” (lajme të rreme).
“Natyrisht që kjo është një situatë që kërkon edhe nga ne si rregullator që të jemi shumë më të vëmendshëm ndaj përmbajtjeve programore që lidhen me raportimet e luftës në Ukrainë”, ka thënë ajo. “Prandaj, në ditët në vazhdim do ta intensifikojmë monitorimin për të nëse po zbatohet vendimi i KPM-së për largimin e kanaleve ruse nga operatorët e shpërndarjes”.
Vendimin e KPM-së e ka mbështetur Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Gërguri i ka cilësuar lajmet e rrejshme si tejet të rrezikshme pasi, sipas tij, ato krijojnë bindjet në mesin e njerëzve.
“Dezinformimi ka treguar që di të jetë shumë i rrezikshëm për shkak se krijon bindje te njerëzit dhe njerëzit pastaj veprojnë nga bindjet që i kanë. Nëse narracioni të themi anti-NATO ose anti-Kosovë dominon te një numër i njerëzve, atëherë mund të ketë pasoja më të mëdha”, ka thënë ai.
Megjithatë, ka metoda të cilat qytetarët mund t’i përdorin që t’i hetojnë raportimet e manipuluara.
“Ne duhet të përpiqemi që të shkojmë deri te burimi i parë për ta konfirmuar të themi se ajo që po thuhet aty është e vërtetë. Përndryshe nga një fotografi apo video, atëherë apriori mundësia që ta besojmë është e madhe në këtë aspekt. E dyta, që gjithmonë ia vlen që qytetarët ta kërkojnë në media të tjera lajmin që kanë parë dhe e treta në çfarë burime mbështeten, duhet shikuar qoftë për situatën tash në Ukrainë apo edhe për dezinformata të tjera”, shtoi ai.
Gërguri ka treguar se mediat po ndikojnë shumë në luftën e Rusisë dhe të Ukrainës, pasi ato po inspirojnë masa.
Në Ukrainë janë duke u përdorur rrjetet sociale për t’iu bërë thirrje njerëzve që dalin në front kundër pushtimit rus.
Së fundi, miliarderi amerikan, Elon Musk, i ka siguruar Ukrainës internet me kërkesë të institucioneve ukrainase.
Gjatë pjesës më të madhe të kohës konflikti po incizohet dhe po plasohet nëpër media online.
Për këtë janë shtuar zërat kundër lajmeve të rreme, e që e ka nxitur lëvizjen e KPM-së për t’i ndaluar përkohësisht kanalet ruse.