“Gati 20% e drithërave tanë, e grurit sidomos, vjen nga Serbia, një pjesë tjetër e madhe, gati 60-70%, në varësi të periudhës vjen nga Rusia, kështu që për ne ky vendim është katastrofik”, ka thënë eksperti i ekonomisë, Endrit Yzeiraj, pas njoftimit se Serbia nga enjtja do të ndalojë eksportet e miellit, grurit, misrit dhe vajit ushqimor
Tregu i Shqipërisë do të ndikohet rëndë nga vendimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili njoftoi se nga dita e enjte planifikon të ndalojë eksportet e miellit, grurit, misrit dhe vajit të gatimit. Shqipëria është një nga importuesit kryesorë të Serbisë dhe vendimi për ndalimin e eksportit të drithërave nga ky vend do të jetë shumë problematik. Madje njëri prej ekspertëve të ekonomisë këtë vendim e ka quajtur shumë të rëndë për ekonominë e Shqipërisë.
“Gati 20% e drithërave tanë – e grurit sidomos, vjen nga Serbia, një pjesë tjetër e madhe, gati 60-70% në varësi të periudhës vjen nga Rusia, kështu që për ne ky vendim është katastrofik”, shpjegon eksperti i ekonomisë, Endrit Yzeiraj.
Vendimi i Serbisë, thotë ai, shkakton problem për të gjithë prodhimin e brendshëm të bukës, që është një nga produktet bazë, sidomos për shtresat në nevojë që konsumojnë më shumë bukë. Sipas Yzeirajt, kjo situatë e rëndon gjendjen aktuale ekonomike shqiptare.
“20 për qind e importit mund të dukej shifër mbase e tejkalueshme. Por në momentin që e kombinojmë këtë me drithërat që ne importojmë nga Rusia (60-70%), po i bie që gati 90% e tregut tonë furnizohet nga këto dy vende”, thotë Yzeiraj. Eksperti i ekonomisë thotë se nuk ka zgjidhje të thjeshtë dhe të shpejtë. “Krizat në njëfarë mënyre tregojnë problemet afatgjata dhe strukturore të ekonomive të vendeve. Shqipëria me sa po kuptojmë është vend që nuk mban rezerva strategjike, që është gabim, por kuptohet që në momentin që je i lidhur në përmasa 90% me këto vende, as rezervat nuk do të zgjasnin shumë”. Presidenti serb Vuçiq ka thënë, të mërkurën, se Qeveria serbe mund të lejojë eksporte në çdo kohë, por është e rëndësishme që së pari të sigurohet ushqim për qytetarët e Serbisë.
“Prandaj kemi miratuar një masë që ndalon eksportet. Për tri ditë eksportet tona të vajit ushqimor u rritën me 109 për qind. Të gjitha organet shtetërore monitoruan parametrat që të kontrollonim gjithçka. Nuk kemi pse të kërkojmë falje në kushte të tilla lufte. Ne kemi sasi të mjaftueshme të gjithçkaje – kripë, sheqer, vaj, miell, grurë dhe misër. Këto janë të gjitha nevojat themelore për një jetë normale”, tha Vuçiq. Ai tha se ka pasur kërkesë për eksportin e një të katërtës së totalit të rezervave. Sipas shifrave të INSTAT-it(Instituti Shqiptar I Statistikave), vendi ku Shqipëria importon më shumë drithëra është Rusia, që zë rreth 41.2% të totalit në vlerë, dhe rreth 45.5% në peshë, nga 39.1% në vlerë që zinte në 2020-ën, apo 43.2% në peshë. Në vend të dytë të importeve të Shqipërisë me drithëra ndjek Serbia, me rreth 36.2% të totalit të importeve në peshë, Franca me 3.5%, dhe Ukraina me rreth 2.93%. Pra, këto katër shtete zënë rreth 88% të totalit të importeve të drithërave në Shqipëri, dhe me përjashtim të Francës, tri shtetet e tjera nuk e përmbushin kërkesën e Shqipërisë si pasojë e përfshirjes në luftë të Rusisë me Ukrainën dhe sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe të ndalimit të eksporteve nga Serbia.
Ukraina dhe Rusia janë kampionë botërorë të industrisë së grurit dhe furnizojnë mbi 25% të nevojave në botë. Vendet luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në botë në dërgesat e vajit të misrit dhe lulediellit. Konflikti i tejzgjatur mes këtyre vendeve mund të mbajë të fryra çmimet e këtyre lëndëve të para, duke rritur çmimet e ushqimit, që ndodhen që tani në nivelet më të larta në një dekadë.
Ndalimi i eksporteve të miellit, grurit, misrit dhe vajit të gatimit nga Serbia ndodh një javë pasi Qeveria e Shqipërisë në mbledhjen e saj të fundit ka marrë dy vendime në kuadër të “Open Balkan”, ku ka miratuar marrëveshjet ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverive të Republikës së Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për njohjen reciproke të operatorëve ekonomikë të autorizuar – autorizimet për sigurinë dhe mbrojtjen (OEAS).