Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë 4 milionë euro shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në katër komunat në veri: Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok.
Kjo ka qenë kërkesë e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është një kërkesë shtesë për të përmbushur nevojat që kanë qenë gjatë fazave të mëhershme të aplikimit për ndërtim apo rindërtim të shtëpive nga komunitetet pakicë.
Qeveria në mbledhjen e mbajtur të martën ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes kornizë ushtarake ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë në mes të Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj, Projektligjin për provimin e maturës shtetërore si dhe atë për ratifikimin e amendamentit numër një të marrëveshjes financiare në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2020.
Qeveria ka miratuar edhe Projekt-rregulloren për stemën dhe vulën e zyrës së Inspektoratit të Përgjithshëm dhe organeve inspektuese si dhe dokumentin e identifikimit të inspektorëve të Republikës së Kosovës si dhe Projekt-udhëzimin administrativ për përmbajtjen e procesverbalit të inspektimit.
Ekzekutivi ka miratuar edhe Projekt-udhëzimin administrativ për parandalimin dhe ndalimin e formave të rrezikshme të punës së fëmijëve në Kosovë.
Qeveria ka miratuar edhe draftin e Programit kombëtar për integrimin Evropian 2024-2028 si dhe draftin e Deklaratës së prioriteteve afatmesme të Qeverisë 2025-2027.
Qeveria ka themeluar edhe grupin punues ndërinstitucional për përgatitjen e pjesëmarrjes së Kosovës në EXPO 2025.
Gjithashtu është themeluar edhe Këshilli për siguri në trafikun rrugor.
Ekzekutivi ka miratuar edhe propozim-vendimin përfundimtar për shpronësim shtesë për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit “ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë si dhe propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore P/ sh/ “Progres” e cila preket nga realizmi i projektit “Ndërtimi i qendrës së paraburgimit dhe institucionit korrektues në Prizren” për nevoja të Ministrisë së Drejtësisë.
Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin për përditësimin e Listës shtetërore strategjike për mallra me përdorim të dyfishtë.
Ekzekutivi ka miratuar edhe draftin e planit strategjik për zhvillimin e Sistemit të informimit Shëndetësore 2024-2030, draftin e koncept-dokumentit për fushën e aviacionit civil, draftin e koncept-dokumentit për produktet për mbrojtjen e bimëve.