Arbëri

NATO: Ushtarët ukrainas vazhdojnë të shërbejnë në Kosovë

Një kontingjent i ushtarëve ukrainas shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Këta ushtarë nuk janë larguar nga vendi për t’i shërbyer atdheut të tyre, Ukrainës. 40 ushtarët ukrainas po qëndrojnë në Kosovë për të përmbushur detyrën e tyre, teksa e hëna ka shënuar ditën e 12-të të pushtimit rus në Ukrainë.

Këtë e ka konfirmuar një zyrtar i NATO-s për KOHËN. Në një përgjigje me shkrim është thënë se kontingjenti ukrainas vazhdon të shërbejë në Kosovë, kur është pyetur nëse ndonjë nga ta ka marrë rrugën për të luftuar në Ukrainë.

“Kontigjenti ukrainas vazhdon të shërbejë si pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe të mandatuar nga Kombet e Bashkuara. Ne mirëpresim kontributin e vazhdueshëm të Ukrainës në misionin tonë të KFOR-it dhe në përpjekjet e saj të përditshme në mbështetje të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe në përforcimin e stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ky zyrtar.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, të hënën ka thënë se Kosova së shpejti do të pezullojë regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës dhe se do të krijojë kushte për strehimin e familjarëve të ushtarëve ukrainas të cilët janë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s.

Më 24 shkurt, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës nga i cili deri më tash kanë mbetur të vdekur qindra persona nga të dyja palët. Perëndimi e ka dënuar ashpër agresionin rus dhe ka vendosur një sërë sanksionesh kundër Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje disa herë ukrainasve dhe të huajve që të shkojnë në mbrojtje. Dhe, sipas zyrtarëve të tij, mbi 66 mijë ukrainas janë bashkuar në luftë kundër Rusisë, të cilët, sipas tyre, kanë ardhur nga jashtë.

Franca të premten pati njoftuar se ka lëshuar 74 leje për ushtarët ukrainas që ishin pjesë e Legjionit të Huaj të Francës. Leja është lëshuar për dy javë që ata të largohen nga baza për t’u ofruar ndihmë familjarëve të tyre. Por, njoftoi edhe se, 20 ukrainas qenë larguar nga baza pa marrë leje dhe dyshohej se kishin shkuar në Ukrainë për të marrë pjesë në luftë.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe me ata në Kosovë. Në pyetjen nëse ndonjë nga 40 ushtarët është larguar për të luftuar, me apo pa leje, nga NATO është thënë vetëm se “kontingjenti ukrainas vazhdon të shërbejë”.

Në Ukrainë është paralajmëruar për krizë humanitare, kurse Kombet e Bashkuara kanë thënë se rreth 1.5 milionë refugjatë kanë lënë Ukrainën për 12 ditë, por që ky numër pritet të arrijë shumë më shumë se kaq. Kosova ka shprehur gatishmërinë që t’i strehojë 5 mijë refugjatë e 20 gazetarë ukrainas.

Qeveria e Kosovës e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe është bashkuar me Perëndimin për sanksionimin e Rusisë.