“Kemi parë tensione në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor në muajt e fundit. Unë isha për vizitë në rajon para Krishtlindjes. Mesazhi im kryesor ishte se të gjitha palët duhet të përmbahen nga fjalori nxitës dhe veprimet që mund të shkaktojnë rritje tensionesh në rajon”, ka thënë Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel, para takimit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s
Tensionet dhe problemet në Kosovë si dhe në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të tejkalohen nëpërmjet dialogut, ndërsa të gjitha palët duhet që të përmbahen nga fjalori nxitës dhe nga rritja e tensioneve, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur të mërkurën para gazetarëve në Bruksel, në prag të takimit të ministrave të Mbrojtjes të Aleancës Veriatlantike.
Stoltenberg ka rikujtuar se ka vizituar rajonin e Ballkanit Perëndimor para Krishtlindjes dhe se porosia që e ka dhënë me këtë rast ishte që të gjithë të përmbahen nga fjalori nxitës.
“Kemi parë tensione në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor në muajt e fundit. Unë isha për vizitë në rajon para Krishtlindjes. Mesazhi im kryesor ishte se të gjitha palët duhet të përmbahen nga fjalori nxitës dhe veprimet që mund të shkaktojnë rritje tensionesh në rajon”, ka thënë Stoltenberg.
Përkitazi me Kosovën, ai ka përsëritur mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe u ka bërë ftesë si Kosovës ashtu edhe Serbisë që angazhohen me mirëbesim në këtë dialog.
“Kur është fjala për Kosovën, rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe unë inkurajoj edhe Beogradin, edhe Prishtinën që të angazhohen me besim të mirë”, ka thënë ai.
Stoltenberg ka nënvizuar gjithashtu se si përgjigje e dhunës në Kosovë gjatë muajve të fundit, NATO-ja ka rritur praninë e saj duke i shtuar rreth 1.000 trupa të reja në kuadër të KFOR-it.
“Misioni i KFOR-it është atje për të ofruar një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet. Kemi dërguar përafërsisht 1.000 trupa shtesë për të siguruar një gjë të tillë dhe do të vazhdojmë në mënyrë që të jemi në gjendje të zbatojmë mandatin tonë nga OKB-ja”, ka theksuar sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të diskutojnë në takim për kapacitetet ushtarake të Aleancës, për situatën në Ukrainë por edhe rreth përgatitjeve për samitin e NATO-s që do të mbahet gjatë korrikut në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku edhe do të shënohet 75-vjetori i themelimit të kësaj Aleance.
Lidhur me situatën në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor është diskutuar të mërkurën edhe në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri të Parlamentit Evropian, ku pyetjeve të deputetëve u është përgjigjur Mirçea Geoana, zëvendëssekretar i përgjithshëm i NATO-s. Si një prej temave që e nxit shqetësimin e NATO-s, Geoana ka përmendur situatën në Kosovë dhe atë në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset politike, veçmas në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.
“Ajo që po ndodh me dezinformimin, si dhe përpjekjet për ndikim në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut është shqetësuese për ne. Po shohim përpjekje të Rusisë për këtë. Qëllimi është që të pengohen forcat properëndimore në këtë vend“, ka thënë ai, teksa ka shtuar se përpjekjet e Rusisë për ndikim janë duke vazhduar edhe në Mal të Zi.
E sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, i pyetur për t’i komentuar deklaratat e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, se SHBA-ja nuk do t’i mbronte aleatët që nuk paguajnë për Aleancën, ka theksuar se Rusia nuk duhet të ketë asnjë iluzion, ngase NATO-ja do të mbrojë secilin vend anëtar. Ai ka thënë se themeli i NATO-s është pikërisht parimi se sulmi ndaj një vendi anëtar është sulm ndaj të gjithëve dhe se kjo do të mbetet ngaqë është shtyllë e sigurisë euroatlantike.