Arbëri

NATO-ja inkurajon arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

Dialogu është mjeti kryesor për zgjidhjen politike afatgjate në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, thuhet në një dokument të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nëpërmjet të cilit përshkruhet situata e sigurisë vitin e kaluar dhe fillimin e këtij viti, pas agresionit rus mbi Ukrainën. Stoltenberg ka inkurajuar arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, teksa Kosova vazhdon të konsiderohet si vend që konsumon siguri dhe shihet e domosdoshme prania e NATO-s

Prania e NATO-s në Kosovë mbetet thelbësore për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo është konstatuar në një raport të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Një pjesë të konsiderueshme të dokumentit e zë promovimi i unitetit të perëndimit pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainë, derisa Kosova vazhdon të konsiderohet si vend konsumues i sigurisë.

Në funksion të ruajtjes së stabiliteti në rajon, shefi i aleancës veriatlantike ka inkurajuar arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

“NATO-ja mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe mirëpriti përpjekjet e vazhdueshme në vitin 2021. Ky dialog mbetet mjeti kryesor për arritjen e një zgjidhjeje politike afatgjatë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi”, thotë raporti i publikuar më 31 mars të këtij viti.

Pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën, Qeveria e Kosovës u dha prioritet veprimeve për ta përgatitur aplikimin për anëtarësim në NATO, aspiratë kjo e shprehur prej vitit 2018 kur iu transformua mandati FSK-së përmes ndryshimeve ligjore.

Bashkëpunimi me strukturat e sigurisë në Kosovë

Por kjo rrethanë e re nuk është përmendur në raport, derisa në përgjithësi përmendet bashkëpunimi me strukturat e sigurisë në Kosovë.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja, kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, siç është mandatuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Në kryerjen e aktiviteteve të saj, NATO bashkëpunon dhe ndihmon Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, sipas rastit, për të mbështetur zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore. KFOR-i gjithashtu mbështet zhvillimin e strukturave profesionale, demokratike dhe multietnike të sigurisë në Kosovë”, shkruan në raport.

Aktualisht, NATO-ja në Kosovë i ka 3770 trupa nga 28 vende anëtare të aleancës.

Pas miratimit të legjislacionit për transformimin e FSK-së në ushtri, Shtetet e Bashkuara e patën cilësuar veprim të natyrshëm për një vend sovran dhe të pavarur. Por NATO-ja e kishte kualifikuar vendim të ngutshëm dhe në kundërshtim me këshillat e aleancës, që kërkonte ndryshime kushtetuese për themelimin e ushtrisë.

Deri tash, zyrtarë të NATO-s kanë thënë se nuk ka ndryshuar qëndrimi i tyre rreth mandatit të FSK-së dhe se këtë forcë e njohin me mandatin e vjetër.

Vendimet për anëtarësim në NATO merren nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, me votim unanim.

Nga 30 shtete anëtare të NATO-s, katër prej tyre ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës - Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

Më mars të këtij viti, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ishte i vetmi që në samitin e NATO-s të mbajtur në Bruksel propozoi që Kosova të integrohet në Aleancën Veriatlantike.

“Katër vendet anëtare të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, ishte shprehur Milanoviqi.

Mbështetjen në kërkesën për anëtarësim në NATO, kryeministri Kurti ia kërkoi një delegacioni të lartë amerikan, i cili javën e kaluar qëndroi për vizitë në Prishtinë. Në takimin e zhvilluar me ndihmëssekretaren amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, Kurti ka thënë se Kosova vitin e kaluar ka marrë pjesë në ushtrimin e madh ushtarak ndërkombëtar “Defender 2021” dhe ka strehuar gjithashtu edhe 1471 shtetas afganë, duke shtuar se këto janë kapacitete të Kosovës për kontributin përkrah SHBA-së në sigurinë rajonale, evropiane e globale.

“Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, është i domosdoshëm integrimi i Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në BE. Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, por edhe në NATO”, ka theksuar Kurti.

Në mars, Qeveria mori vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Edhe presidentja Vjosa Osmani javë më parë i shkroi letër presidentit amerikan, Joe Biden, për t’i kërkuar ndihmën e SHBA-së për anëtarësim në NATO. Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në këtë aleancë në rrethanat aktuale është e një rëndësie urgjente.

Sa u përket angazhimit dhe bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në raport ka përmendur shtetet e tjera të cilat aspirojnë të bëhen pjesë e aleancës.

“Bashkëpunimi i NATO-s me Bosnjë-Hercegovinën, si anëtare aspiruese e NATO-s, vazhdon në kuadër të Programit të Reformës. Me Serbinë, NATO-ja u angazhua në një spektër të gjerë projektesh partneriteti në fusha të tilla si ngritja e institucioneve dhe kapaciteteve të mbrojtjes, ndërveprueshmëria dhe bashkëpunimi shkencor”, shkruan në raport.

Nga vendet tjera, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë para disa ditësh se Finlanda dhe Rusia do të priten krahëhapur në aleancën ushtarake nëse vendosin të aplikojnë për t’u anëtarësuar.

Serbia promovon armatimin e kundërshtarëve të NATO-s

Derisa NATO-ja promovon bashkëpunimin, Serbia së fundi ekspozoi armatimin kinez. Sistemi raketor HQ-22 u dërgua muajin e kaluar nga disa aeroplanë transportues të Forcës Ajrore Kineze në atë që besohet të jetë dërgesa më e madhe ndonjëherë me transport ajror i armëve kineze në Evropë.

Edhe pse Serbia zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, e ka armatosur veten me shumicë armë ruse dhe kineze, përfshirë tanket e luftës T-72, avionët MiG-29, helikopterët sulmues Mi-35 dhe dronë.

Në vitin 2020, zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar Beogradin kundër blerjes së sistemeve raketore HQ-22. Sipas SHBA-së, nëse Serbia vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE dhe aleancave të tjera perëndimore duhet t’i bashkërendojë pajisjet ushtarake me standardet perëndimore.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas shfaqjes së armëve në aeroportin ushtarak afër Beogradit ka thënë se raketat kineze, ashtu si edhe pajisjet e tjera ushtarake të dërguara së fundmi, nuk janë kërcënim për askënd dhe se janë “parandaluese të fuqishme” kundër sulmuesve potencialë.

“Ne nuk do të lejojmë më të jemi thes që të goditet për askënd”, ka deklaruar ai, duke iu referuar bombardimit 78-ditor të NATO-s në Serbi pas krimeve në Kosovë.

Edhe pse votoi pro rezolutës së Kombeve të Bashkuara që dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë, Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve në Moskë.

Kërcënuesit e sigurisë globale

Sfidë e madhe për NATO-n konsiderohet situata në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë. Por si kërcënim për sigurinë përmendet edhe Kina.

“Ne kemi hyrë në një epokë të re në sigurinë globale, ku fuqitë autoritare, si Rusia dhe Kina, po kundërshtojnë hapur parimet thelbësore për sigurinë tonë dhe po kërkojnë të rishkruajnë të gjithë rendin ndërkombëtar nga i cili varet paqja dhe prosperiteti ynë. Moska po përdor forcën për të ndjekur objektivat e saj. Në të njëjtën kohë, sfidat e tjera për sigurinë tonë nuk janë zhdukur, duke përfshirë terrorizmin, përhapjen bërthamore, sulmet kibernetike, teknologjitë përçarëse dhe ndryshimet klimatike”, shkruan në raportin vjetor të sekretarit të Përgjithshëm.

“Përballë këtij realiteti të ri, Evropa dhe Amerika e Veriut duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar dhe të punojnë ngushtë së bashku për një NATO më të fortë. Kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, ka përmendur veprimet e ndërmarra përballë agresionit të Rusisë dhe ndihmën e ofruar për Ukrainën.

“Ndërsa ky raport u publikua, lufta e presidentit Putin në Ukrainë – e mundësuar nga Bjellorusia – vazhdon të vrasë civilë të pafajshëm, duke shkatërruar qytete dhe infrastrukturë dhe duke bërë që miliona njerëz të largohen nga vendi. Si përgjigje, aleatët e NATO-s vazhdojnë të rrisin mbështetjen për Ukrainën, të imponojnë sanksione ekonomike ndaj Rusisë dhe të forcojnë parandalimin dhe mbrojtjen tonë. Në javët e fundit, ne kemi dyfishuar praninë ushtarake në pjesën lindore të Aleancës, me më shumë trupa, avionë dhe anije për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të aleatëve tanë”, shkruan në raport.

Së fundi, zyrtarë nga Kremlini kërcënuan edhe NATO-n duke thënë se ajo po shkon drejt një lufte kundër Rusisë përmes ushtrisë ukrainase, të cilën po e armatos në maksimum.