Incident serioz e ka kualifikuar sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, në margjinat e takimit me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtarë të aleancës. I pyetur për paralajmërimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se Rusia ka për qëllim ndezjen e një konflikti në Ballkan, sekretari i aleancës veriatlantike, ka thënë se do të bëjnë çfarë është e mundur për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve, duke e përmendur specifikisht Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Edhe nga BE-ja kanë thënë se janë të angazhuar për stabilitet në rajon
NATO-ja do të bëjë çfarë është e mundur për të parandaluar përshkallëzimin e konflikteve në Ballkanin Perëndimor pas rritjes së tensioneve të fundit, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. E në këtë linjë është shprehur edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell.
Në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës, të martën, temë diskutimi ishte edhe situata në Kosovë. Por para takimit të anëtarëve që u mbajt me dyer të mbyllura, Stoltenberg u pyet nëse kanë informacione se Ballkani është caku i radhës nga ana e Rusisë për ta ndezur një konflikt të ri. Tek ka folur për këto rreziqe, ai ka përmendur Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
“Sapo jam kthyer nga një vizitë në rajon, në Bosnjë-Hercegovinë, në Serbi, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, dhe kam takuar udhëheqësit nga i gjithë rajoni. Dhe sigurisht, çfarë shohim atje është se tensionet po rriten. Kemi parë tensione të shtuara dhe retorikë nxitëse në Bosnjë-Hercegovinë. Po ashtu kemi parë ngjarje serioze të dhunës në Kosovë, përfshirë sulmin ndaj trupave paqeruajtëse të NATO-s, ku 93 ushtarë të NATO-s u plagosën, disa prej tyre shumë rëndë”, ka theksuar Stoltenberg.
Duke folur për rastin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, Stoltenberg ka përmendur vrasjen e tre sulmuesve serbë që ishin pjesë e grupit paraushtarak nga Serbia, por jo edhe vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Gjithashtu pamë ngjarjet në Banjskë, ku tre persona u vranë në shtator në Kosovë. Këto janë ngjarje serioze dhe duhet të jemi të fokusuar në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë, ndërsa ne po merremi me luftën në Gazë dhe vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për Ukrainën, do të sigurohemi që NATO-ja do të bëjë atë që është e nevojshme për të ruajtur ose siguruar stabilitetin në rajon, sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për të gjithë Evropën dhe NATO-n”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
“Ne kemi prani atje. Ne punojmë bashkë me Bashkimin Evropian, forcën EUFOR në Bosnjë-Hercegovinë. Kemi prani në Kosovë. Dhe në dritën e tensioneve të rritura kemi shtuar mijëra ushtarë të tjerë në praninë tonë ushtarake në Kosovë në javët e fundit, dhe ne do të punojmë ngushtë me partnerët, me aleatët në rajon, për të siguruar që të bëjmë atë që është e mundur për të zvogëluar tensionet dhe për të parandaluar çdo përshkallëzim të konfliktit”.
Paralajmërimet për tensione
Para disa ditësh, presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, bëri thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, pasi, sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.
“Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t'i japë fund, sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin”, ka thënë ai.
Edhe Bashkimi Evropian (BE) kishte shprehur shqetësimin për mundësinë që Rusia të tentojë të ndërhyjë në rajonin e Ballkanit Perëndimor me qëllim që të nxisë ndonjë konflikt.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, pati deklaruar se BE-ja po e mban në vëzhgim sjelljen e Rusisë dhe që nuk është gjë e re që Rusia tenton që të ketë ndikim negativ.
Rreth tentativës së aktorëve të jashtëm për ta destabilizuar rajonin të martën ka folur edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock. Ajo paralajmëroi se vitin e ardhshëm Gjermania do t’i dërgojë 150 ushtarë shtesë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
“Kjo vlen, jo vetëm për situatën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për situatën në Bosnjë-Hercegovinë. NATO-ja, por edhe BE-ja, janë garantuesit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Baerbock.
Sipas diplomates gjermane, perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE është e rëndësishme për një stabilitet afatgjatë.
Blinken: NATO-ja e gatshme për t’u ballafaquar me sfida
Ndërkaq sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, tha se NATO-ja është e gatshme për t’u ballafaquar me sfida të ndryshme, përfshirë Ballkanin Perëndimor.
“Ajo çfarë po bëjmë në aleancën e NATO-s është shumë më e rëndësishme sesa ka qenë më herët. Kemi parë se tre vjetët e fundit NATO-ja është rritur duke u marrë me sfidat me të cilat po ballafaqohemi bashkërisht. Jemi duke bërë shumë punë të përbashkët në kuadër të aleancës. Siç e thatë në Ballkanin Perëndimor, me partnerët e NATO-së në gjithë botë, përfshirë Azinë e Pacifikun. Dhe natyrisht do të flasim për krizën në Gaza dhe situatën në Lindjen e Mesme”, ka thënë Blinken.
E shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borrell, ka deklaruar para takimit se, EULEX-i bashkë me KFOR-in do ta garantojnë sigurinë përreth kufirit Kosovë-Serbi.
“Në këtë sesion ne folëm për Ballkanin Perëndimor. Ju e dini se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për Bashkimin Evropian, shumë anëtarë të bllokut janë të angazhuar për stabilitet në këtë rajon dhe shumë shtete të këtij rajoni janë kandidate. Stabiliteti i tyre, prosperiteti dhe përshtatja me politikën e jashtme janë shumë të rëndësishme për ne”, ka theksuar Borrell. Ai ka treguar edhe për bashkëpunimin që kanë me KFOR-in në funksion të sigurisë në veri të Kosovës.
“Misioni ynë i EULEX-it është vendosur atje në bashkëpunim të fortë me KFOR-in, kohën kur po ballafaqohemi me momente të vështira dhe ne do të vazhdojmë të garantojmë stabilitet dhe siguri në këtë pjesë të Kosovës, në kufi me Serbinë. EULEX-i luan një rol të rëndësishëm në këtë aspekt dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Por u bëjmë thirrje Kosovës e Serbisë që të rrisin përkushtimin për marrëveshje për ta qartësuar rrugën e tyre evropiane”, ka theksuar Borrell.
Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Stoltenberg një ditë më herët paralajmëroi se në takim do të diskutohet mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR.
Përveç Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor, ministrat e Jashtëm të NATO-s do të diskutojnë gjithashtu planet për samitin e 75-vjetorit të aleancës që do të mbahet në Uashington në korrik të vitit të ardhshëm, ku aleatët do të festojnë themelimin e NATO-s dhe do të nxjerrin në pah atë që liderët e kanë kualifikuar aleanca ushtarake më e suksesshme në histori.