Arbëri

NATO e cilëson kyç për stabilitetin në Ballkan bashkëpunimin me BE-në

Në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, zyrtarë të aleancës dhe të BE-së kanë ripotencuar nevojën për stabilitet dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor. Kjo është vlerësuar si thelbësore nga zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, pas takimit që pati me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Megjithatë, njohësit thonë se përplasjet mes Kosovës dhe Serbisë mbi implementimin e marrëveshjeve të arritura mbeten pengesë për avancimin e procesit

Zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli e ka kërkuar edhe NATO-ja. 

Çështja ka qenë temë diskutimi në takimin që zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, e ka pasur të hënën mbrëma me emisarin e BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

“Vazhdimi i bashkëpunimit NATO-BE është kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq Sorenseni ka shkruar se “mezi pret bashkëpunimin e ngushtë”. 

Muajin e kaluar në Kosovë qëndroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë së cilës vizitë tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura. Normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe stabilitetin në rajoni, Rutte e ka ndërlidhur edhe me aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ajo, së bashku me Sorensenin, do t’i shqyrtojë opsionet për ta bërë atë funksional.

Edhe pse u paralajmërua që dialogu Kosovë-Serbi do të hyjë në një fazë të re me emërimin e Peter Sorensenit si i dërguar i posaçëm i BE-së, në vizitat e tij të para në Prishtinë dhe Beograd, dallimet mes palëve mbi rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve u rikonfirmuan. 

Kosova vazhdon të kundërshtojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke kërkuar zbatim të tërësishëm të marrëveshjeve, ndërsa Serbia e ka vendosur themelimin e tij si parakusht për normalizimin. 

Analisti Lulzim Veliu nuk pret që të ketë shpejt zbatim të marrëveshjes për të cilën janë dakorduar Kosova dhe Serbia më 2023. Megjithatë, ai ka theksuar se emisari i ri mund të jetë më produktiv krahasuar me paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak.

“Unë mendoj se emërimi i zotit Peter Sorensen si udhëheqës për çështje dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është një zgjedhje e duhur dhe zgjedhje më e mirë se ajo që e kishim deri më tani, pra me Lajçakun. Sorensen është njohës i mirë i rajonit, pasi për disa vite ka shërbyer edhe si kryeadministrator në Kosovë, për shumë vite ka pasur aktivitet edhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi. Kështu që është njohës shumë mirë i gjithë situatës dhe duke e njohur situatën mund të vijë edhe deri te rezultati apo deri te arritja e marrëveshjeve. Do të shkojë kohë deri në takimin e parë pasi që në Kosovë pas mbarimit të zgjedhjeve, kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe ende nuk kemi qeveri”, ka thënë Veliu.

Veliu ka theksuar se bashkëpunimi euroatlantik është thelbësor, dhe ka shtuar se do të jetë vështirë që palët t’u shmangen obligimeve që kanë marrë përsipër. 

Sipas tij, qeverisë së ardhshme do t’i kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serb, e palës serbe ta ndalë fushatën kundër shtetësisë së Kosovës.

“Unë mendoj se çështja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është çështje që është dashur të kryhet me kohë nga ana jonë, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dhe si e tillë kjo është njëra nga pikat që nuk do të ketë mundësi asnjëri nga kryeministrat apo qeveritë që vijnë, ta anashkalojnë. Kjo pra do të jetë pika kryesore me të cilën mund të ballafaqohet Kosova në fazën e ardhshme”, ka thënë Veliu.

“Është dashur më herët të krijohet një draft-statut që do të ishte në pajtueshmëri me kushtetutën për të mos ardhur deri te draft-statuti që na e ka dërguar Bashkimi Evropian. Ndërsa palës serbe, përveç pranimit të dokumenteve të Kosovës, do t’i kërkohet me ngulm që ajo të mos jetë pengesë që Kosova të pranohet në institucionet ndërkombëtare. Pra në bazë të marrëveshjes në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet që Serbia të lobojë kundër njohjeve, por edhe për çnjohjen, gjë të cilën e ka bërë në shumë raste, sidomos në vendet e kontinentit afrikan”, ka thënë ai. 

Nga paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak, Sorenseni trashëgoi edhe një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku Kosovës iu kërkua formalizimi i tij. Por presidentja Vjosa Osmani pas takimit të fundit me diplomatin danez, tha se ky dokument ka defekte dhe se nuk do ta kalonte testin e Gjykatës Kushtetuese.

Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur takime të nivelit të lartë që nga 14 shtatori i vitit 2023, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Dhjetë ditë pas atij takimi ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku aktakuza e prokurorisë konfirmoi se ndihmë në organizimin e tij ka dhënë edhe shteti i Serbisë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.