Arbëri

Nagavci: Edukimi në fëmijërinë e hershme, tregues kyç i shëndetit dhe ekonomisë

Ministria e Arsimit ka lansuar skemën e kuponëve “Mbështetje për pjesëmarrjen e fëmijëve të cenueshëm në shërbimet e kujdesit dhe fëmijërisë së hershme”. Kjo skemë e financuar nga Fondi i Mësimit të Hershëm i Bankës Botërore synon të ndihmojë familjet në nevojë që janë pjesë e skemës së asistencës sociale. Ministrja Nagavci ka thënë se kjo ditë shënon një etapë të rëndësishme në punën drejt ofrimit të shërbimeve në fëmijërinë e hershme

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se edukimi në fëmijërinë e hershme është tregues kyç i shëndetit dhe ekonomisë së një vendi.

Në lansimin e skemës së kuponëve në kuadër të projektit “Mbështetje për pjesëmarrjen e fëmijëve të cenueshëm në shërbimet e kujdesit dhe fëmijërisë së hershme”, ajo ka thënë se kjo skemë do t’iu dalë në ndihmë familjeve me asistencë sociale.

Ministrja ka theksuar rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e fëmijëve.

“Jemi bashkërisht në këtë ditë kur po shënojmë një etapë të rëndësishme në punën drejt ofrimit të shërbimeve në fëmijërinë e hershme, e cila prek drejtpërdrejt jo vetëm fëmijët dhe i ndihmon ata në zhvillimin e tyre në të ardhmen, por edhe familjet dhe shoqërinë në zhvillimin e saj. Po fillojmë një fazë të re, një risi e cila ka potencialin të ketë rezultate konkrete dhe të dukshme brenda një periudhe të shkurtër, duke u shtrirë tek të gjitha familjet e reja që kanë nevojë për mbështetje institucionale”, ka thënë ajo.

Sipas Nagavcit, Ligji për Fëmijërinë e Hershme është pasuar nga hulumtime që dëshmojnë se sa më herët që përfshihen fëmijët në edukim, aq më të suksesshëm do të bëhen.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, ka thënë se investimi në këtë fazë të zhvillimit ndikon në shoqërinë dhe në të ardhmen e vendit.

“Investimi në këtë fazë nuk është vetëm me ia mundësua një fëmije që të jetë i zoti i vetvetes, por është në fakt investim edhe në vet shoqërinë edhe në të ardhmen tone”, ka thënë Gola.

E menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci, ka shtuar se këta kuponë do t’iu ndihmojnë familjeve të kenë qasje në shërbimet e kujdesit për fëmijët.

“Programi i kuponëve që po prezantojmë sot është një komponent integral i një projekti më të madh që është projekti i edukimit dhe kujdesit të fëmijërisë së hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës. Do të thotë përderisa marrëveshja e projektit ende pret ratifikimin parlamentar, ne u bëjmë thirrje deputetëve që ta miratojnë atë sa më shpejt, duke pasur parasysh rëndësinë e tij kritike për mirëqenien e tanishme dhe të ardhshme të fëmijëve dhe familjeve të Kosovës”, ka thënë Paolucci.

Projekti për edukimin e hershëm është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, atë të Shëndetësisë dhe UNICEF-in,  i cili financohet nga Fondi i Mësimit të Hershëm i Bankës Botërore.

Ardona Popova