Arbëri

Nagavci akuzon komunat: Kanë bërë betejë politike me Qeverinë

Arberie Nagavci

Në ditën e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ministrja e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se edhe pse komunat nuk po gjejnë lokacione për çerdhe duke bërë betejë politike me Qeverinë, do të vazhdojnë edhe më tutje, pavarësisht bllokadave nga disa komuna, duke e përfshirë edhe Komunën e Prishtinës, për të hapur çerdhe kudo që ka nevojë.

Nagavci ka thënë se në plotë raste kryetarët e komunave janë në gjendje që t’i sakrifikojnë interesat e qytetarëve të tyre vetëm që të mos lejojnë që të përmbushen premtimet e Qeverisë.

“Në raport me premtimin tonë për ndërtimin e 160 çerdheve, që është edhe çështja që po sulmohemi më së shumti, mendoj që qëllimshëm po harrohet pjesa e dytë e fjalisë të cilën ne e kemi përmendur në programin tonë ku kemit thënë se do të hapim 160 çerdhe në bashkëpunim me komunat, sepse sipas ligjit është përgjithësi e komunave edukimi para universitar, por mbi të gjitha çdo investim i joni si ministri duhet të bëhet me kërkesën e komunave.. Qeverisjet komunale, kryetarët të komunave në momente kur duhet të ndërmarrin veprime në raport me qytetarët, do të lënë anash betejat politike dhe ajo që po e shohim tashmë është që në plotë raste kryetarët e komunave janë në gjendje që të sakrifikojë interesat e qytetarëve të tyre, vetëm që të mos lejojnë që të përmbushen premtimet që i kemi pasur si qeveri”, ka thënë Nagavci.

E në këtë “thes” më së shumti po përfshihet Komuna e Prishtinës.

Ministrja Nagavci ka shtuar se është takuar personalisht me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, por asnjëherë nuk ka pasur një bashkëpunim në këtë drejtim.

“Po përmendi një rast në Komunën e Prishtinës, ne e dimë sa të nevojshme janë kopshtet dhe çerdhet për shkak se edhe numri i prindërve të rinj por edhe numri i popullsisë është shumë më i madh. Kemi ndarë buxhetin e nevojshëm, kemi takuar personalisht disa herë kryetarin, por nuk kemi asnjë bashkëpunim në këtë drejtim dhe unë pres do të vazhdoj edhe më tutje përtej bllokadave obstruksioneve, e pengesave që i kemi, që të realizojmë premtimet tona duke vazhduar ,me intensifikim të gjetjes së zgjidhjeve kreative, ashtu siç kemi bërë deri më tani”, ka shtuar ajo.

Nagavci ka theksuar se edhe në mbështetjen e fëmijëve me asistencë sociale ka pasur pengesa e bllokada të vazhdueshme./KSP


Nagavci: Familjeve që nuk kanë mundësi financiar do t’ia mbulojmë pagesën e çerdheve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se familjet nën asistencë sociale nuk do të kenë nevojë të paguajnë për fëmijët e tyre edukimin në fëmijërinë e hershme, pasi Qeveria ka siguruar një grant që do t’i paguajë ato, bashkë me transportin.

Sipas saj, buxheti është i ndarë dhe deri në fund të vitit do të japin njoftimin për çerdhet dhe kopshtet që mund të jenë përfituese në këtë drejtim.

“Ka familje të cilat nuk mund të përballojnë pagesën në mënyrë që të përfshijnë fëmijët në edukimin e hershëm . Duke parë pengesat dhe vështirësitë që vinë nga komunat apo thënë më mirë moskujdesin e kryetarëve të komunave për qytetarët e tyre, në mënyrë që të pengojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë, ne jemi munduar dhe kemi adresuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, me partnerët nëpërmjet një granti të cilin e kemi përfituar nga Banka Botërore, tashmë mjetet i kemi në dispozicion që të gjithë ata që janë familje nën asistencë sociale nuk do të kenë nevojë të paguajnë për edukimin në fëmijërinë e hershme për fëmijët e tyre. Duke ditur që në disa raste ka mungesë të kopshteve dhe çerdheve ne do të kemi bashkëpunim edhe me kopshtet që janë në partneritet publiko-privat por edhe me ato private dhe do të merren përsipër edhe shpenzimet e transportit dhe gjithçka tjetër që do të mund të ishte pengesë për të dërguar fëmijët në edukimin e fëmijërisë së hershme”, tha ajo.

Ajo shtoi se kanë adaptuar hapësira duke i transferuar ato në çerdhe por edhe kanë miratuar ligjin që e bën shkollimin të obliguar që nga mosha 5-6 vjeç./KSP