Arbëri

Naftëtarëve s’po u pëlqen të hetohen për çmimin e naftës, thonë se s’kanë marrëveshje

Vendimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për nisjen e hetimeve për shkak të dyshimit se naftëtarët janë marrë vesh që të mos e ulin çmimin, po kundërshtohet nga ta.

Përmes shoqatës së naftëtarëve, ata janë ankuar për këtë duke mohuar se kanë marrëveshje të fshehur për çmimet, raporton KTV.

Ata, gjatë një takimi me drejtuesit e Odës Ekonomike kërkuan nga ekzekutivi i vendit që të bëjë të mundur ndërrimin e pikave të karburanteve duke krijuar hapësirë më të madhe ndërmjet tyre.

Sipas tyre, Kosova, si vend i vogël, ka shumë pika të karburanteve.

Në Odën Ekonomike kanë rikujtuar se ekonomia e tregut lejon që çmimet të përcaktohen nga vetë naftëtarët.

Ditë më parë, Autoriteti i Konkurrencës nisi hetimet ndaj shitësve të derivateve, me dyshimin se tregtarët e naftës janë duke bërë shkelje të Ligjit të konkurrencës, duke mos ulur çmimin e naftës, proporcionalisht me uljen e çmimit që është bërë në tregjet ndërkombëtare.