Të gabuar e të pabazë po e konsideron vendimin për përcaktimin e çmimeve të naftës, Shoqata e Naftëtarëve. Në MINT kanë thënë se vendimi është marrë për të shmangur abuzimet me çmime në treg. Ndërsa njohës të ekonomisë thanë se ky veprim i ministrisë mund të shkaktojë dëme ekonomike
Vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktim të marzhës së fitimit të naftës po e konsiderojnë të paarsyeshëm e të gabuar përfaqësues të bizneseve që merren me naftë.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se Ministria nuk është konsultuar me ta për marrjen e këtij vendimi dhe se ai mund të ndikojë në mbylljen e bizneseve të vogla.
“Çmimi i naftës nuk varet as nga Qeveria e as nga Shoqata e Naftëtarëve, por nga bursa dhe organizata prodhuese OPEC. Ndërsa, për gjendjen ekonomike të cilën e kemi në Kosovë, çmimi real i naftës do të ishte 1 euro”, ka thënë Berjani.
Me këtë vendim, Ministria ka vendosur që marzha e fitimit me shumicë të jetë 2 centë për litër, ndërsa për atë me pakicë 12 centë për litër.
Në njoftimin e kësaj Ministrie thuhet se ky veprim është ndërmarrë për të shmangur abuzimet në treg me çmime të naftës.
“Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi i produkteve të naftës. Këto të dhëna janë nga evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut”, thuhet në vendimin e ministrisë.
Ismet Mulaj, njohës i zhvillimeve ekonomike dhe sociale, këtë vendim e ka cilësuar si politik pasi thotë se nuk po funksionojnë mekanizmat e pavarur të cilët i ka shteti.
Mulaj ka thënë se Ministria duhet të veprojë në bazë të rregullave të tregut dhe të investojë në funksionalizimin e mekanizmave përkatëse.
“Çdo rritje e çmimit në mënyrë artificiale nënkupton rritje edhe të produkteve të tjera, për shkak se nafta dhe derivatet e saj janë burim energjie. I gjithë transporti në Kosovë realizohet përmes naftës dhe derivateve të saj. Po ashtu, një pjesë e madhe e përdorin edhe gazin, që është nënprodukt i naftës për qëllime edhe të prodhimit, por edhe qëllime të transportit e qëllime të tjera”, ka thënë Mulaj.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë thënë se vendimi ka hyrë në fuqi prej datës 5 prill.
E në Shoqatën e Naftëtarëve kanë paralajmëruar se mund të ketë ulje të çmimit të naftës në Kosovë, pas vendosjes së tarifave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marzha e fitimit, me vendim të MINT-it, ishte kufizuar edhe gjatë kohës së pandemisë Covid-19.