“Po, kjo është dhoma ku është kryer masakra me datën 17 prill 1999 pasi familja është nisur për në Drenas dhe është kthyer në mënyrë të dhunshme nga policia serbe”, thekson Fadil Muqolli në dhomën, ku ishin masakruar 51 civilët. Shtëpinë e ka kthyer në muze. Askush nuk është nxjerrë para drejtësisë. Ka vetëm një lutje për prokurorët e Kosovës: “Vendosni familjarët e juaj në vendin e familjarëve të mi, edhe veproni”
Naseri ëndërronte të bëhej futbollist me nam. Ylberi mësues. Zarifja ishte rrugës për t’ua mësuar ABC-në e shqipes nxënësve. Abdullahu ia thoshte bukur këngës. Qëndrimi do t’i hidhte hapat e parë në vizitën e fundit të babait luftëtar. Liria ende nuk kishte nxjerrë fjalën e parë nga goja kur forcat serbe do të vrisnin e shkrumbonin 53 civilë, shumica prej tyre gra e fëmijë në një dhomë të vetme në fshatin Poklek në Drenas. Kujtimet për ta u kthehen edhe më fuqishëm baballarëve sa herë ngjiten te shtëpia-muze e Fadil Muqollit. Kthimi në shtëpinë e haresë dhe të tmerrit është i zorshëm për Fadilin
Disa herë rrëfimin ia këputin ofshamat e thella. E ka shumë të vështirë të flasë për më të dashurit e tij të vrarë e të djegur në shtëpinë e tij në 17 prillin e vitit 1999. Megjithatë, luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbledh veten dhe kujton ngjarje e histori që lidhen me gjërat e pakta të mbetura, por të shkrumbuara, në shtëpinë tashmë të kthyer në muze. Në oborr me petkun e bardhë të dëborës së prillit, Fadili derisa u prin kushërinjve bashkëluftëtarë, Mehdi e Xhavit Muqolli, tregon se forcat serbe së pari do të vrisnin para shtëpisë baba Sinanin dhe mikun e shtëpisë, poetin Ymer Elshani. Në dhomën majtas të shtëpisë trekatëshe do të vriteshin e digjeshin 51 civilët e familjeve Muqolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha. Në mesin e tyre, nëna, katër motrat, bashkëshortja, vajza dhe tre djemtë e Fadil Muqollit.
“Po, kjo është dhoma ku është kryer masakra me datën 17 prill 1999 pasi familja është nisur për në Drenas dhe është kthyer në mënyrë të dhunshme nga policia serbe”, thekson Muqolli në dhomën ku ende ruhet stufa e zezë e kuzhinës. Policia i kishte nxjerrë 59 civilët nga shtëpia dhe pas numërimit të tyre do t’i urdhëronte të futeshin brenda. Sinan Muqolli dhe Elshani do të nxirreshin edhe njëherë jashtë që të ekzekutoheshin e të hidheshin në bunar.
Dhoma që kulloi gjak
“Janë kthyer prapë ata policë, e kanë hapur derën e dhomës dhe i kanë gju dy bomba”, thekson Fadil Muqolli, duke treguar vrimën e pllakës që kishte krijuar fuqia e shpërthimit. Në anën tjetër të pllakës, poshtë në bodrum, ende nuk është shlyer gjaku që kishte kulluar nga kati i sipërm. Por, forcat serbe do të prisnin disa çaste për të hyrë përsëri duke shkrepur breshëri automatiku, duke menduar se kishte vrarë të gjithë civilët. Por masakrën do ta mbijetonin Elheme Muqolli, Hysen Kluna, Ramadan Muqolli, Lumije Muqolli, Leutrim Caraku dhe Arbenita Muqolli. Prej 51 të masakruarve, 23 ishin fëmijë.
“Janë kthyer prapë dhe i kanë djegur njëherë”, shton Fadil Muqolli, duke treguar se vëllai i tij i kishte parë atë natë kufomat, por pas “katër a pesë ditësh kemi hy brenda me disa ushtarë”, duke i mbledhur eshtrat, që do t’i vendosnin në një bunker. Tani, eshtrat dhe hiri i viktimave prehet në varrin masiv jo fort larg shtëpive të Muqollëve. Anash varrit të përbashkët, janë varret e Sinan Muqollit dhe Ymer Elshanit, të nxjerrë pas luftës nga bunari.
Në dhomën tjetër, familjarët kanë vendosur fotografitë e më të dashurve të vrarë. Janë fytyra të miturish që kishin ëndrra të mëdha, megjithëse ishin të vetëdijshëm se po rriteshin në Kosovën e pushtuar e në luftë.
“Baba Sinani, nana Elheme, motrat Eminja, Elifja, Sherifja dhe Hafija. Kjo ka qenë bashkëshortja ime, Feridja. Vajza Shehidja, djali Naseri, Ylberi dhe Egzoni”, nis të tregojë emrat e familjarëve të tij, Fadil Muqolli.
“Baba Sinani, nana Elheme, motrat Eminja, Elifja, Sherifja dhe Hafija. Kjo ka qenë bashkëshortja ime, Feridja. Vajza Shehidja, djali Naseri, Ylberi dhe Egzoni”, nis të tregojë emrat e familjarëve të tij, Fadil Muqolli
“Emrin, tha, e ka Liri”
“Kjo është bashkëshortja e vëllaut, Hylja, kjo është vajza Florentina, edhe vajza e vogël e vëllaut, Liria, që ka qenë vetëm gjashtëmuajshe”, shton Fadil Muqolli.
Liria kishte lindur në fshatin Miradi ku familja po qëndronte si refugjatë. “Më kujtohet shumë mirë kur e kanë marrë....”, ofshan thellë Fadili, për të vazhduar pas pak: ”.... kur e kena marrë informatën se vëllau ka vajzë, edhe vëllau tha ‘e kam emrin’. Edhe e kam pyet ‘a ban me na thanë qat emër? Po’, ka thanë, ‘emrin e ka Liri’”, përshkruan ai para fotografisë së Lirisë. “Por fatkeqësisht nuk ia arriti me gëzu lirinë, por edhe me gjakun e saj ne e gëzojmë lirinë”.
Xhavit Muqolli nis prej rendit të dytë të tregojë fotografitë e gjashtë anëtarëve të familjes, nënës Miradije, motrave Zarifes e Arifes, bashkëshortes Florije, vajzës Eronitës dhe djalit, Fatosit.
“Fatosi sa kishte filluar t’i fliste fjalët e para dhe hapat e parë i kishte filluar në Vasilevë”, ku familja kishte qëndruar si refugjatë.
Indeksi i Zarifes si studente e Degës së mësimit klasor të Shkollës së Lartë të Prishtinës dhe diploma e Universitetit të Prishtinës për “Studenten martire” janë dokumentet që i ruan familja për ëndrrën e vrarë nga forcat serbe.
Edhe shtatë anëtarë të familjes së Ramadan Muqollit të ndjerë do të vriteshin në masakrën e Poklekut. Mehdi Muqolli, i biri i tij veteran lufte, nis të tregojë prej fotografisë së motrës, kunatës dhe nipit. “Ishte edhe shoqja ime Shehrija, vajza ime katër vjeçe, Vahidja, Kushtrimi, djali im i madhi dy vjeç në atë kohë. Edhe kjo është fotografia e djalit tim më të voglit, Qëndrimit, dhjetë muajsh”, tregon Mehdi Muqolli.
Xhavit Muqolli nis prej rendit të dytë të fotografive të tregojë fotografitë e gjashtë anëtarëve të familjes, nënës Miradije, motrave Zarifes, Arifes, bashkëshortes Florijes, vajzës Eronitës dhe djalit Fatosit
Kujtimi i fundit, hapat e parë të djalit
Tre ushtarët e UÇK-së ishin kthyer një natë para masakrës që t’i vizitonin familjet e tyre të strehuara në shtëpinë e Sinan Muqollit. Dhe derisa përshkruajnë orët e fundit me familjet e tyre, u ndritin sytë.
“Qëndrimi domethënë, në natën e fundit, më 16 prill, e ka bërë atë hapërimin e parë, nja dy-tri metra”, kujton Mehdiu që nis të ndërrojë çehre. “Sigurisht se hapërimi i tij i parë është ai kujtimi i fundit që.... që e kam pasë me të”, mezi shton ish-komandanti i luftës. “Ai ka qenë fëmijë dhjetëmuajsh, por të mbetet, të mbetet ai kujtim”.
“Fëmijët kanë pasur ëndrrat e veta, mirëpo ka qenë kohë e vështirë, sepse ka qenë një kohë kur ka qenë vështirë me siguru edhe ekzistencën e tyre. Por kanë pasur andrra”, thekson Fadil Muqolli para fotografive të fëmijëve. “Djali i madh ka pasë qejf futbollin, djali i dytë, më kujtohet gjithnjë thojke, ‘kam me u ba mësus’”, thotë Fadili. Përsëri ofshanë thellë. Dikur mezi e nxjerr një fjali: “Janë kujtime të rana”.
“Ishte edhe shoqja ime Shehrija, vajza ime katër vjeçe, Vahidja, Kushtrimi, djali im i madhi dy vjeç në atë kohë. Edhe kjo është fotografia e djalit tim më të voglit, Qëndrimit, dhjetë muajsh”, tregon Mehdi Muqolli
Fëmijët e lirisë me emra të motrave e vëllezërve martirë
Mehdiu thotë se Vahidja dhe Kushtrimi ishin fëmijë jashtëzakonisht inteligjentë. “Djali i vëllait, Abdullahu – është interesant se kam shumë kujtime me të se ishte 13 vjeç dhe ishim me një shtëpi me të – Abdullahu shumë ka qenë inteligjent, shumë ka mësu, por muzikën e ka deshtë më shumë. Domethënë të ardhmen e ka parë ma shumë te muzika”, thotë fytyrëqeshur Mehdiu me shikimin kah dritarja e dhomës së fotografive. Jashtë, fjollat e dëborës shkrihen në lulet e pemëve para shtëpisë.
Në liri, tre burrat u martuan e nisën jetën nga themelet e shkrumbuara. Por përherë me vendosmërinë për t’i mbushur shtëpitë e reja me gjallëri. Shumica e fëmijëve tashmë mbajnë emrat e motrave e vëllezërve martirë.
“I kam tre fëmijë, është Fatosi, i bën 23 vjet, mban emrin e Fatosit të vogël, që nuk mundi me gëzu lirinë, mirëpo Fatosi sot është i rreshtuar në krah të Forcave të Armatosura të Kosovës (FSK, v.j.)”, tregon krenueshëm Xhavit Muqolli. “Është Eroniti, që është 19 vjet, mban emrin e Eronitës. Ka kryer shkollën e mesme dhe studion në Prishtinë. Është edhe vajza Armira, e cila mban dy shkronjat e para të Arifës dhe katër shkronjat e para të nanës. Armira është në shkollë të mesme. Është nxënëse e dalluar. Këtë vit ka fituar një bursë, do të vazhdojë shkollën e mesme në Amerikë sivjet. Është shumë e përkushtuar dhe thotë se pasi që më është dhënë mundësia falë gjakut të derdhur, t’i shfrytëzoj të gjitha kapacitetet e mia që një ditë Kosovës t’i bëhem shtyllë e fortë”, thotë Xhaviti që në fund i lidhet gryka.
Edhe Fadili ka përtërirë emrat e Egzonit dhe të Ylberit. “Numri i anëtarëve që kanë u kanë vrarë, është arritur dhe është kalu”, thekson Fadil Muqolli, duke treguar se edhe vëllai ka përtërirë emrin e Florentinës.
“...i ruaj me shumë kujdes”, merr frymë thellë Fadili para tyre, “sepse kur i shoh këto, edhe çmallem me to dhe i shoh fëmijët e mi”, thekson Fadili Muqolli para librave e fletoreve të fëmijëve të vrarë “M’i lexu nuk i lexoj se nuk muj se ka edhe shkrime që edhe e kanë tregu se nuk do ta gëzojnë lirinë”
Librat e fletoret e kujtimeve
Në katin e dytë Fadili i ka ruajtur librat e fletoret e fëmijëve të tij. Në dorëshkrimet e tyre filloristët e përshkruajnë jetën në Kosovën e pushtuar. “Pranverë e thyer – pushimet verore”, është titulli i njërit prej shkrimeve të fëmijëve. Librat e fletoret ishin ruajtur në bagazhin e një makine të vjetër. Forcat serbe i kishin hedhur përtokë. Fadili i kishte mbledhur pas luftës që t’i ruante, duke ua ekspozuar tashmë edhe vizitorëve të shtëpisë-muze.
“...i ruaj me shumë kujdes”, merr frymë thellë Fadili para tyre, “sepse kur i shoh këto, i shoh fëmijët e mi, edhe çmallem me to”, thekson Fadili. “M’i lexu nuk i lexoj se nuk muj se ka edhe shkrime që edhe e kanë tregu se nuk do ta gëzojnë lirinë”. I lexojnë djemtë e lirisë.
“Nuk janë në gjendje të mirë, por kemi tentuar dhe do të tentojmë me i ru sa ma mirë. Është një shkrim që me ja pas kushtu vëmendjen, vajza ka tregu që nuk do të jetojë”, thotë Fadili.
Në katin e tretë janë rrobat e gjësendet e pakta që u shpëtuan flakëve të zjarrit. Janë sofrat e shkrumbuara, por kanë mbijetuar fustani dhe xhemperi që gruaja e Fadilit i kishte veshur në natën e fundit, por edhe dy xhupat e djemve.
Askush nuk është nxjerrë para drejtësisë për masakrën e Poklekut. Fadili është i zhgënjyer sidomos me drejtësinë vendore që kurrë nuk i ka trokitur në derë që së paku t’ia kërkojë një dëshmi.
“Jam zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare, jam zhgënjyer me drejtësinë vendore”, thekson ai. “Jam shumë i habitur si një prokurori të mos ia vrasë ndërgjegjen kjo masakër, ku janë 23 fëmijë”, shton ai, duke i lutur prokurorët e Kosovës të mendojnë vetëm një gjë: “Vendosni familjarët e juaj në vendin e familjarëve të mi, edhe veproni”.
Fadili në ditë gëzimi e mërzie ngjitet te shtëpia-muze, ku kujton ditët më të hareshme e më të tmerrshme të jetës. Pas vizitës bërë shtëpisë, te varrezat nderon 53 viktimat e 17 prillit të zi të ‘99-s. Këtu janë emri i Qëndrimit, që u vra një ditë pasi bëri hapat e parë, dhe i Lirisë.