Arrestimi dhe fillimi i hetimeve ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim seksual të një vajze gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, e dëmton besueshmërinë e qytetarëve në këtë institucion.
Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, të martën derisa ka raportuar para Komisionit për integrime evropiane, shkruan sot Koha Ditore. Megjithatë, ai ka thënë se nëse rasti do të hetohet në mënyrë adekuate, do ta kthejë besueshmërinë.
“Mburrem me atë se si është ndërtuar ky institucion. Sidoqoftë, rasti në fjalë ka ndikuar në besueshmërinë ndaj policisë. Është mjaft shqetësues si rast. Megjithatë, në momentin që ka ndodhur, i kemi ftuar në takim të gjithë aktorët, të cilët janë të përfshirë dhe kemi kërkuar që hetimi të fillojë që nga momenti kur vajza shkoi në polici për ta denoncuar profesorin Sh. Xh. për abuzim seksual”, ka theksuar Mustafa.
Ka shtuar se ky rast duhet të hetohet deri në momentin e tërheqjes së aktakuzës e gjithashtu edhe procesi i tërheqjes.
“Nuk do të thotë se do të përfundojë zinxhiri i hetimeve aty ku ka mbetur. Kemi kërkuar që sa më shpejt të realizohet dhe të vihet deri në dënimin e aktorëve, të cilët janë të përfshirë në këtë rast të ndjeshëm”, ka thënë ministri. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)