Arbëri

Mustafa dyshohet se e dëmtoi Telekomin me gati 7 milionë euro

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se Mustafa dyshohet se, me anë të kontratës së lidhur me operatorin ekonomik “Paykos” për shitjen, disbursimin dhe promovimin e mbushjeve Pre-Paid të “Valës”, i ka shkaktuar Telekomit një dëm prej afro 7 milionë eurosh. Në njoftimin e kësaj prokurorie thuhet se ish-kryeshefi, në vend që t’i mbrojë interesat e ndërmarrjes, ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të Telekomit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë të enjten ndaj ish-kryeshefit të Telekomit, Agron Mustafa, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “lidhje e kontratës së dëmshme”.

Me këtë kontratë të lidhur me operatorin ekonomik “Paykos”, Mustafa dyshohet se i ka shkaktuar Telekomit një dëm prej afro 7 milionë eurosh.

Në një njoftim të lëshuar nga Prokuroria thuhet se Mustafa, në vend që t’i mbrojë interesat e ndërmarrjes, ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të Telekomit.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi, me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve, duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës dhe atë në vlerë prej 6,796,732 €”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga kjo prokurori është propozuar gjithashtu që Mustafa të shpallet fajtor dhe të dënohet bazuar në ligjin përkatës me veprën penale, për të cilën ai është i dyshuar.

KOHA ka kërkuar që të marrë një qëndrim nga Mustafa lidhur me aktakuzën, porse ai nuk ka qenë i qasshëm gjatë ditës. E ngritjen e aktakuzës ndaj Musfatës të enjten nuk e kanë komentuar as nga Telekomi.

Rasti rreth lidhjes së kontratës së dëmshme më herët është përcjellë në hetuesi nga Sindikata e Punëtorëve të Telekomit, e cila pati kërkuar që hetime të bëheshin për disa kontrata që Telekomi i ka lidhur me operatorë të ndryshëm ekonomik.

Kontrata me “Paykosin” është aktualisht në Arbitrazh, pasi që kjo kompani ka dorëzuar padi ndaj Telekomit.

Armend Zeqiri, pronar i kompanisë, të enjten nuk ka dashur ta komentojë aktakuzën, duke thënë se nuk është në dijeni të saj. Por për kontratën e lidhur ai ka thënë se është në arbitrazh dhe se nuk mund të japë më shumë hollësi.

Kontrata është lidhur në vitin 2015 dhe kishte të bënte me shitje, disbursim dhe promovim të mbushjeve Pre-Paid të numrave të “Valës”.

KOHA ka raportuar më herët se kontrata mes Telekomit dhe “PayKosit” për shitjen e mbushjeve ishte nënshkruar vetëm katër muaj pasi që kjo kompani ishte regjistruar si biznes.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, të arritur në marsin e 2015-s dhe të nënshkruar nga ish-kryeshefi Mustafa, kompania kishte për obligim që ta bëjë shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve Pre Paid.

Bazuar në kontratë, “PayKosi” obligohej që të zgjeronte rrjetin e pikave të shitjes së këtyre mbushjeve nëpër Kosovë. E në bazë të dokumenteve, rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos” për katër vjet, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin asaj.

Që nga viti i nënshkrimit të kontratës, “PayKosi” ka fituar rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për arritje të trageteve si dhe minimum rreth 1 milion euro për blerjen e mbushjeve me çmime zbritjeje nga operatori.

Kohëzgjatja ishte ndryshuar disa herë. Në tetor të 2016-s palët janë pajtuar që marrëveshja të zgjasë deri në vitin 2020, me mundësi vazhdimi edhe për katër vjet të tjerë. Ndërsa në dhjetor të 2017-s është shtuar një afat i ri 5-vjeçar, i cili fillonte nga 1 janari i 2018-s.