Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, në seancën e jashtëzakonshme për themelimin e Komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore, ka thënë se janë dhënë 209 milionë euro tenderë të negociuar.
Duke iu kundërpërgjigjur deputetit të pushtetit Adnan Rrustemi, ai e ka akuzuar Vetëvendosjen për numër të madh të kontratave të negociuara, të lidhura nga institucione që sipas tij, udhëhiqen nga njerës të afërt më të.
“Adnan edhe Vetëvendosje keni harruar që kryeshefi juaj i KEK-ut është arrestuar për shkak të tenderëve njëburimorë. Zyrtarë a çka e keni pasur në parti. Çka keni bërë një kandidat të Vetëvendosjes për asamble e keni vendosur në vendin e tij, po silleni në rrethin tuaj të ngushtë. Në Ministrinë e Ekonomisë duke përfshirë edhe ndërmarrjet publike që i raportojnë Ministrisë përfshirë KEK-un, Postën dhe Telekomin, prej periudhës 2021 e deri tash 151 kontrata njëburimore, pra të negociuara në katër sy, me një shok, me një dost me një anëtar të partisë, me një financues të partisë, në katër sy me një restorant me një dhomë në terr, atje dhe e kanë ndarë tallin. E keni ndarë tallin kolegë, kesh sa të duash”, është shprehur Mustafa.
Ai ka thënë se komisioni hetimor për këtë çështje duhet të themelohet.
“151 kontrata, 124 milionë euro, dil koleg këtu kallxo cila përqindje është e jotja. Në këtë Kuvend komisionet hetimore janë e drejtë kushtetuese, prandaj sot ose nesër ky Kuvend, qare nuk ka ky Kuvend pa e themelu një komision hetimor me i dalë në fund kësaj pune”, është shprehur Mustafa.