Arbëri

Mustafa: 59% e kapaciteteve të ujit humb në rrjet

Anëtarja e Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, Saxhide Mustafa, ka thënë se 59 për qind e ujit humbet në sistem, duke shtuar se kjo është çështja më thelbësore që duhet të trajtohet me urgjencë.

Sipas Mustafës, Bordi i KRU “Prishtina” ka hartuar një plan veprimi që synon që brenda tri vjetëve të arrijë sukses për rreth 50 për qind.

“Sfida më e madhe tani është uji, humbjet e ujit dhe uji i pafaturuar. Kjo pjesë kërkon investim sepse është vjetruar sistemi i ujit. Kjo është sfida më e madhe që duhet të trajtohet. Kemi hartuar një plan që është çështja e vetme që duhet të merremi sivjet me seriozitetin më të madh. Për tri vjet synojmë të arrijmë deri në 50 për qind”, ka thënë Mustafa.

Sipas zyrtares së “Prishtinës”, kjo ndërmarrje ka probleme edhe me mungesën e investimeve kapitale.


Nishori flet për 40 mln € euro humbje të “Ibër-Lepencit” nga shitja e energjisë

Anëtari i Bordit në Ndërmarrjen “Ibër-Lepenci”, Avdullah Nishori, ka thënë se kjo ndërmarrje ka humbur rreth 40 milionë euro fitim nga shitja e energjisë.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Nishori ka thënë se kjo humbje ndodhi për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Një prej kontratave ka qenë që është bërë me një operator privat për shitjen e energjisë elektrike, e që është bërë në kundërshtim me rregullat e ZRRE-së, për të cilën “Ibër-Lepenci” paraprakisht është ndëshkuar se e ka zgjatur afatin e kontratës për dy vjet edhe pse pa ndonjë shpallje, e që sipas një llogarie të përafërt që ne e kemi bërë, janë rreth 40 milionë fitim i humbur për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike që kishim si pasojë e luftës në Ukrainë dhe çmimeve shumë të larta të energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Për këtë kontratë, Nishori ka shtuar se nuk kanë arritur ta shkëpusin për arsye të rregullave të saj.

“Atë kontratë nuk kemi arritur ta shkëpusim për arsye se rregullat e kontratës kanë qenë të tilla, atë që e kemi bërë ne është se e kemi përmbushur atë minimumin e obligueshëm kontraktual, pjesën tjetër e kemi plasuar në treg për ta minimizuar humbjen”, ka theksuar ai.

 


Bajra: 80 për qind e ndërmarrjeve mbijetojnë falë subvencioneve

Profesori i ekonomisë, Ujkan Bajra, ka deklaruar se 80 për qind e ndërmarrjeve publike mbijetojnë me subvencione, duke thënë se shumica prej tyre janë në gjendje të rëndë ekonomike.

Sipas tij, situata për ndërmarrjet publike është rënduar tepër në periudhën e pandemisë.

“Në këto ndërmarrje shumica e tyre, 80 për qind punojnë me humbje dhe ekzistojnë falë subvencionimit që i jep Qeveria pasi ato nuk arrijnë të gjenerojnë asnjë të hyrë që t’i mbulojnë shpenzimet e veta. Problemet janë të njëjta, edhe ato që i kemi pasur para 10 vjetëve, i përcjellin ndërmarrjet publike. Situatën e ka rënduar koha e pandemisë”, ka thënë Bajra të enjten në "Konfront" të KTV-së.

Profesori i ekonomisë ka theksuar se mungesa e të hyrave për shkak të mospagesës “kanë shkaktuar humbje”.