Murat Musliu, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Skenderaj, ka deklaruar se dëshmori i parë në luftën e familjes Jashari me forcat serbe ka qenë Miftar Rreci.
Ai ka thënë se Rreci u vra kur u kuptua se trupat serbe po rrethonin shtëpinë e familjes Jashari, derisa po shkonte në pikën vrojtuese.
“Dëshmori i parë atë ditë ka rënë duke shkuar në pikën vrojtuese ka qenë Rreci i Llaushës, si dëshmor i parë. Pastaj është rrethuar shtëpia e Jasharajve dhe ka pasur luftime dhëmbë më dhëmbë. Ka qenë e pamundur të hynim pasi ka qenë tërë zona e mbuluar me tanke, autoblinda e pikërisht atë ditë një familje rome ka qenë duke u larguar nga lufta, u vra atë ditë”, ka deklaruar Musliu të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Kreu i Këshillit të Drejtave të Njeriut në Skenderaj ka shtuar se ka qenë e pamundur të ndihmohej familja Jashari për shkak të rrethimit të rreptë.
Sipas Musliut, familja Jashari është mbrojtur dhe ka luftuar me krejt artilerinë që ka pasur. Ai shtoi se komandanti Adem Jashari ishte paralajmëruar se shtëpia po i rrethohej.