Arbëri

Musliu s’pret që BE-ja e SHBA-ja ta kenë fokus dialogun Kosovë-Serbi

Vjosa Musliu

Vjosa Musliu, ligjëruese e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Lirë në Bruksel, nuk është shprehur optimiste se udhëheqësia e re e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, e as administrata e re amerikane, do ta kenë në fokus çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, në periudhën e afërt.

Duke marrë për bazë fjalimin e shefes së re të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, për agjendën e saj për pesëvjeçarin e ardhshëm, Musliu në “Interaktiv” të KTV-së të premten ka thënë se ajo ka treguar qartë që fokusi do të jetë në luftën në Ukrainë.

“Ajo u pozicionua qartë që përfundimi i luftës në Ukrainë dhe fitorja e Ukrainës në këtë luftë është prioritet për mandatin e saj dhe BE-në. Pastaj problemet tjera të politikës së jashtme që i numëroi kishin të bënin me Kinën, Rusinë dhe Iranin dhe luftën në përhapje në Lindje të Mesme. Ballkanin Perëndimor Kallas e përmendi kur u përmend zgjerimi. Duket se s’ka e s’do të ketë fokus të jashtëzakonshëm qoftë në Ballkanin Perëndimor qoftë në dialogu që Borrelli e ka pasur më të detajuar në agjendë”, ka thënë ajo.

Sa i përket zgjedhjes së Donald Trumpit president të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Musliu ka thënë se ky është lajm jo i mirë për rendin botëror për shkak të mesazheve që përçojnë vendimet e SHBA-së në botë, “sidomos për vendet e vogla, sovraniteti i të cilave është i kushtëzuar si në rastin e Kosovës”.

Ajo ka thënë se SHBA-ja ka interesim të jashtëzakonshëm për luftën në Lindje të Mesme dhe ka rol të madh në ndërmjetësimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“E ndoshta kjo shpërndarje e administratës Trump, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në agresionin rus në Ukrainë, mund t’ia zvogëlojë apetitet ose ambiciet për t’u marrë me aq zell sa është marrë administrata e presidentit Trump më 2020 në raport me Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë ajo.

Edhe idenë që të ketë pako ku çështjet e hapura të Evropës të përfshihen në të, Musliu e ka konsideruar të pamundur duke thënë se secila kërkon zgjidhje specifike.

Sipas saj, Bashkimi Evropian çështjen e Kosovës e konsideron kokëdhimbje sepse nuk po mbyllet si temë. Ajo ka thënë se status-quoja në dialog po i konvenon më së shumti Serbisë, e po i ndihmon BE-së, por “as nuk po i pengon shumë as Qeverisë së Kosovës”.

“Kjo status quo i jep mundësi qoftë BE-së, qoftë qeverisë në Kosovë apo në Serbi, që duke e mbajtur këtë si një problem të vazhdueshëm të bëjë një lloj ‘arrestimi’ të politikave dhe politik-bërjes që do të kishin efekt real brenda në vend”, ka thënë ajo.    

Për procesin e plotë të dialogut nga fillimi, Musliu ka thënë se ai shquhet për mungesë transparence.