Arbëri

Musliu: Politizimi i secilit projekt për një grusht vota, bën që të pësojë qytetari

Ilirik Musliu

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilirik Musliu, ka thënë se politizimi i secilit projekt për një grusht vota, bën që të pësojnë qytetarët. 

Musliu në "Konfront" të KTV-së ka thënë se ka projekte të shumta për të cilat niveli lokal ka nevojë edhe për nivelin qendror të pushtetit. 

“Politizimi i secilit projekt për një grusht vota, atëherë e pëson qytetari ... ne si kandidat për herë të parë duhet të krijojmë krejt një stendat tjetër të të bërit politikë, mos të kemi inate politike dhe gjithçka të politizojmë”, është shprehur ai.

Musliu i cili më herët ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë, ka thënë se ka pasur raste kur projektet e nivelit lokal janë penguar nga niveli qendror. 

Si shembull ka përmendur diskutimet, që sipas tij, i kanë bërë më nivelin qendror për largim të deponive ilegale. 

“Ne kemi pasur një diskutim, kemi pasur deponitë ilegale, të cilat kanë qenë në hapësira të cilat i ka menaxhuar ministria, e jo që janë menaxhuar nga niveli lokal, kanë qenë në rrugë regjionale, është dashur shumë diskutim për ta larguar një deponi që ka qenë në hyrje të autostradës që ka qenë imazh i keq për kryeqytetin, në raste të tilla duhet të jemi shumë më fleksibil, nuk duhemi për një grusht vota, ose për një kredit atje të ngecë një projekt”, ka theksuar Musliu. 

Një tjetër projekt që sipas tij ka hazur në probleme si pasojë e nivelit qendror, ka qenë edhe ai për ndriçimin. 

“Ne kemi punuar shumë në ndriçimin e kryeqytetit, por hyrje-daljet kanë qenë gjithmonë kanë qenë problematike, nuk kemi mundur as të ndërhyjmë sepse ka qenë përgjegjësi e nivelit nacional, kur kemi kërkuar bashkëpunim, na është përgjigjur që ‘nuk kemi kontratë edhe që nuk është prioritet i yni për momentin’”, ka theksuar Musliu. 


Sadiku: Ministria e Brendshme tash e 6 muaj po e mban projektin për spitalin e Prishtinës

Izet Sadiku, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka akuzuar pushtetin qendror se e ka bllokuar projektin e spitalit të Prishtinës.

Në “Konfront” të KTV-së në debatin “nga niveli lokal synojnë qendrën”, drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet ka thënë se ka ngecje në bashkëpunim kur një parti është në pushtetin qendror e një tjetër në atë lokal.

“Në Prishtinë jemi përballë me këtë. Në shëndetësi ndër projektet madhore ka qenë ndërtimi i spitalit të Prishtinës. Është projekt i premtuar që nga viti 2000, menjëherë pas luftës dhe realisht ndër premtimet tona ka qenë fillimi i ndërtimit të tij. Kemi gjetur një projekt të dizajnit të vitit 2019. Pastaj më 2022 kemi nisur të bashkëpunojmë në këtë projekt. Kemi ndarë pronën dhe buxhetin dhe ai është finalizuar në korrik të vitit 2024 dhe është dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme e që gjashtë muaj s’na është dhënë projekti. Na ka mbetur suficit buxheti për spital”, ka thënë ai.

Sadiku ka thënë se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm, pasi sipas tij kryeqyteti ka nevojë për spital.

“Janë 1.1 milionë vizita mjekësore në një vit në kujdesin parësor. Prej tyre 400 mijë janë pas orës 16 dhe natën. Spitali do të krijonte mundësi më të mira për qytetarët”, ka thënë ai.


Gagica: Gjendja në Anamoravë më ka shtyrë t'i futem garës për deputet, ka depresion

Nazim Gagica nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se shkaku pse i ka hyrë garës për deputet është gjendja në rajonin e Anamoravës.

Ai ka thënë se gjendja në shumë sektorë e ka nxitur për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

“Një prej arsyeve që më ka nxitur që t’i hy kësaj gare për të qenë pjesë e Kuvendit është gjendja në Anamoravë. Anamorava sot ka tetë deputetë në Kuvend, pothuajse sa një subjekt politik dhe gjendja në Gjilan është mëse e rënduar, kemi të bëjmë me një depresion ekonomik, depresion politik e social, madje edhe infrastrukturor”, ka thënë ai në “Konfront”.

Gagica ka shtuar se Gjilani është në gjendje të rënduar për shkak të politikave qendrore.

“Kombinimi i nivelit qendror me atë lokal, mospërfillja e nivelit qendror në raport me udhëheqjen komunale duke ditur se janë të të njëjtit subjekt tanimë kanë mbetur shumë projekte të parealizuara. Kjo më ka nxit që të veprojmë ndryshe në këto defekte dhe për t’i përmbyllur projektet e nisura më 2019”, është shprehur ai.