Arbëri

Musliu: Peci, i vetmi ministër me kameraman e montazher për të bërë propagandë

Ganimete Musliu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e ka akuzuar ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, se me kontratë njëburimore ka punësuar staf për marketing personal.

“Ai për Facebook është ‘profi’ sepse e ka paguar me para të qytetarëve... Me kontratë njëburimore e ka marrë montazherin dhe kameramanin. I vetmi ministër, ka kameraman, montazher për të bërë propagandë, për të bërë marketing”, ka thënë Musliu.


Musliu: Ministri Peci e punësoi tezaken e presidentes Osmani në AZHB

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka punësuar tezaken e presidentes Vjosa Osmani në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. 

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Musliu ka thënë se ajo fillimisht është punësuar në AZHB, e më pas ka marrë pozitën e sekretares në ministrinë që Peci e drejton. 

Me këtë rast, sipas saj, sikurse disa institucione të tjera, edhe AZHB-ja ka mbetur me ushtrues detyre të kryeshefit. 

“AZHB-ja fillimisht është emëruar atje tezakja e Vjosa Osmanit, e ka emëruar Faton Peci, bashkëpartiaku i Vjosa Osmanit, pra e ka emëruar si kryeshefe në AZHB. Pastaj e ka tërhequr sepse e ka tollovitur atje, e ka vënë në ministri për të bashkëpunuar dhe të bëjë këto shkelje e këto marrëzi që po i bën sot. Sepse njeri më të besueshëm sesa tezaken e Presidentes nuk ka gjetur. Venera Mustafa është tezakja e Vjosa Osmanit, tashmë është në pozitën e sekretares në ministri. Atje e ka lënë një ushtrues detyre që nuk guxon ta bëjë asnjë punë pa direktivat e Faton Pecit dhe ish-shefes së AZHB-së”, ka thënë ajo.


Sopi: Në këtë vend nuk mund të bësh asgjë pa e korruptuar dikë

Opinionisti Agim Sopi ka thënë se rasti që u raportua se vëllai dhe daja i deputetes të VV-së, Fitore Pacolli, kanë fituar grante nga Ministria e Bujqësisë, është padyshim konflikt interesi.

Ai ka shtuar se në Kosovë ka qenë gjithnjë që ligjet kanë funksionuar për vepra e qytetarë të thjeshtë, por jo për veprat e mëdha të personave me pozita të larta.

“Në praktikat kosovare ka qenë kështu që ligjet kanë funksionuar për ta ndjekur ndonjë hajn të vogël, dikë që e kanë zënë se ka prerë dru, po hajnitë e mëdha të vjedhës së shtetit nuk janë dënuar, gjithherë janë amnistuar”.

Sopi ka theksuar tutje se në Kosovë korrupsioni është shumë i lartë, e sipas tij, për të kryer një punë nuk mund ta bësh pa korruptuar.  

“Korrupsioni dhe si pasojë krimi i organizuar që ka lindur nga korrupsioni është shndërruar në normë. Korrupsioni nuk është vetëm në nivele të larta qeveritare, ne e kemi korruptuar qytetarin në hapin e parë. Në këtë vend nuk mund ta fusësh fëmijën në çerdhe pa e korruptuar dikë, nuk mundesh me gjetë një vend në spital, nuk mund ta nxjerrësh një dokument me urgjencë nëse të duhet pa e korruptuar dikë dhe këto shkojnë zinxhir. Kurse nëse ke nevojë për institucionet që duhet të jenë në shërbim të qytetarit, aty pa e pasë një derë me hy ose pa e dhënë një përqindje të madhe për një shërbim, harroje që e kryen”.


Dakaj: Granti për vëllain e deputetes - skandal i faktuar, shqetësuese se si po e arsyetojnë

Shkëlzen Dakaj nga Gazeta Infokus ka thënë se është shqetësuese mënyra se si partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po mundohet të manipulojë me publikun pas raportimeve se vëllai dhe daja i deputetes Fitore Pacolli kanë fituar grante nga 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë.

Sipas Dakajt, ky është skandal i dëshmuar me dokumente.

“Për mua shqetësues është fakti se si mundohen të manipulojnë me publikun dhe qysh po mundohen me mbulu një skandal që është i faktuar dhe i dëshmuar, me emra dhe mbiemër, me dokumente. Është shqetësuese mënyra kur askush nuk ka kurajon të merr përgjegjësi, të del dhe të thotë do ta shqyrtojmë, do ta shohim nëse ka pas shkelje gjatë procesit... me aq guxim dalin e mbrojnë, gjoja është në rregull krejt dhe ne kemi sulm nga partitë opozitare, lufta hibride e çka po di çka thonë. Është e tmerrshme papërgjegjësia e niveleve kaq të larta shtetërore”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të martën.

Dakaj u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë i quante “korrupsion” skandalet e tilla, madje edhe kur lidhjet familjare nuk kanë qenë kaq të shkurta si në rastin e deputetes së pushtetit, Fitore Pacolli.

“Këta po vendosin standard që është shqetësues edhe pas kësaj qeverie. Po duan me normalizu gjithçka që mund me ndodh”, ka shtuar ai.


Musliu: Granti për vëllain e deputetes Pacolli u bë me shkelje ligji, nuk e plotësoi asnjë kusht

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se granti për vëllain e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është bërë me shkelje ligji.

Sipas saj, ai nuk e ka plotësuar asnjë kusht për ta përfituar grantin prej 100 mijë eurosh. 

Musliu ka shtuar se PDK-ja po punon me juristët e saj për të marrë një vendim lidhur me kallëzimin penal për këtë çështje. 

“Nuk e ka plotësuar asnjë kriter për ta marrë një grant të tillë. Në rend të dytë, kemi të bëjmë me shkeljen e ligjit për parandalimin e përfshirjes në konflikt interesi. Është puro konflikt interesi sepse kryetarja e komisionit parlamentar, një komisioni që është i thirrur për të mbikëqyrur keqpërdorimet e mundshme dhe zbatueshmërinë e ligjit, familjarët e saj përfitojnë nga 100 mijë euro grant dhe kjo është e mjaftueshme për të bërë një kallëzim penal. PDK-ja është angazhuar dhe po punon me juristët e saj dhe në vijim do të marrim një vendim. Duam të dalim shumë seriozë dhe profesionalë në këtë drejtim. Ai e ka fituar grantin veç pse është vëllai i Fitore Pacollit. Ka shkelur çdo kriter, krejt çka ka bërë është se ka regjistruar një fermë dhe ka aplikuar sepse e ka pasur të sigurt”, ka thënë Musliu.