Arbëri

Musliu: Mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush” s’ka të bëjë me testim, do të hapet sërish pas festave

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka njoftuar se mbyllja e rrugës “xhorxh Bush” në Prishtinë, nuk ka të bëjë me testimin për mbylljen e unazës qendrore, për çka ka ndodhur shpesh që të mbyllet kjo rrugë përgjatë vikendeve.

Musliu ka njoftuar se kjo pjesë e qytetit planifikohet të jetë sheshi kryesor për festat e fundvitit dhe me përfundimin e tyre, do të hapet sërish për qarkullim.

“Qëllimi pse e kemi mbyllur rrugën ka të bëjë me aktivitetet e festave të fundvitit. Aktiviteti kryesor i fundvitit do të zhvillohet në rrugën ‘Xhorxh Bush’, kjo është arsyeja pse e kemi mbyllur, pasi na nevojiten dy javë kohë për intervenime që na duhet t’i bëjmë aty për t’u implementuar projekti i festave të fundvitit për tu përshtatur me atë projekt. Rruga ‘Xhorxh Bush’ mbetet sheshi kryesor për festat e fundvitit. Nuk ka të bëjë me testin që të mbyllet unaza qendrore. Rruga do të hapet sërish pas datës 8 janar. Është e vërtetë që ishulli që ndanë në mes korsitë do të ketë disa intervenime. Më 12 dhjetor nis organizimi”, ka thënë Musliu.

Ai ka shtuar se ende nevojitet të punohet sa i përket këtij organizimi, pasi shtëpizat që janë vendosur në këtë rrugë duhet të riparohen dhe të pastrohen.

“Duhet të bëhet riparimi i shtëpizave pasi janë të dëmtuara, duhet bërë pastrimi dhe riparimi i tyre, gjithashtu ishulli që gjendet në mes të rrugës duhet të largohet pasi do të kemi kalldrëm dhe do të përshtatet për festat e fundvitit, në këtë rast për këto kamp shtëpiza. Kur është marrë vendimi për t’u mbyllur ‘Xhorxh Bushi’, është paraparë që autobusët të mos kalojnë andej për shkak se festimi që do të bëhet aty do ta pamundësojë kalimin e autobusëve për shkak të sigurisë”, ka thënë ai.

Musliu është deklaruar edhe rreth ndriçimit publik, për çka tha se janë në rivlerësim të kontratës së zgjerimit të tij.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës këtë vit do të ketë buxhet rreth 70 për qind më të madh sesa vitin e kaluar për ndriçimin publik.

“Komuna për tri vjet nuk ka pasur mirëmbajtje për ndriçim publik. Jemi në rivlerësim të kontratës së zgjerimit të ndriçimit publik. Vitin e ardhshëm do ta kemi një buxhet prej 70 për qind më shumë sesa vitin e kaluar apo buxheti që e kemi trashëguar për ndriçim publik. Kemi arritur në kohë rekord të stabilizimit sa i përket ndriçimit publik”, është shprehur Musliu.