Arbëri

Musliu: Gjykatat po i rehatojnë politikanët me dënime të buta

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se dënimet që gjykatat në vend po shqiptojnë ndaj politikanëve për veprat e korrupsionit janë dënime të buta dhe amnistuese.

Të premten Pal Lekaj, ish kryetar i Gjakovës, u dënua me 1 vit e gjysmë me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa ish-kryetari i Klinës, Sokol Bashota, me gjashtë muaj burgim me kusht për mosdeklarim të pasurisë.

“Dënimet e sotme po e vërtetojnë që politika e dënimeve të gjykatësve në raport me politikanët është joadekuate, është politikë e butë, për të mos thënë amnestuese. Kjo politikë nuk e arrin qëllimin për çka shqiptohet dënimi. Dënimi është që ai që është kryerësi i veprës të marrë dënimin e merituar e që të gjithë të tjerët që mendojnë të kryejnë veprat e njëjta penale të mësojnë çfarë mund të pësojnë. Çfarë mesazhi po jep? Po i rehaton politikanët me dënime të cilat për periudhë të shkurtër kohore s’kanë pasoja dhe burgun nuk e vizitojnë fare dhe mesazhi që jepet është dekurajues për qytetarët sepse të gjithë po janë të stimuluar të kryejnë vepra të njëjta nëse u jepet mundësia”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, me këto dënime po del që “ia vlen barra qiranë” të shpërdorohet buxheti me miliona euro për një dënim me kusht.