Ish-gjyqtarja në Gjykatën Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, ka thënë se pranimi i Koovës në Këshillin e Evropës do t’i sfidonte gjyqtarët vendorë dhe do t’i siguronte investitorët e huaj.
Mbi debatin për përfitimet që sjell anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare në “Konfront” të KTV-së të enjten, Mushkolaj ka thënë se pas pranimit, vendimet e gjykatave vendore do të sfidohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe fakti që Kosova do të jetë nën juridiksion të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do të ishte kontributi qysh në ditën e parë i madh për sundim të ligjit sepse gjyqësori ynë që vërtetë është jo i avancuar sidomos për shkak të zhegitjeve e problemeve tjera, do ta humbte automatikisht atë rehatinë se ‘nuk ka kush çfarë na bën’. Aty ne do ta shohim në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut se sa do të sfidohen vendimet e gjykatave tona”, ka theksuar ajo.
Anëtarësimin e Kosovës në KiE, Mushkolaj e ka lidhur edhe me komoditetin që do t’ua sillte investitorëve të huaj.
“Çështja e dytë e rëndësishme është çështja e investimeve të huaja që është drejtpërdrejt e lidhur edhe me juridiksionin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ne aq shumë kemi folur për investimet e huaja, mirëpo cili investitor do të guxonte që të shkonte në një vend, në territorin gjeografik të Evropës, pa juridiksion të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Vetë fakti që do të jemi nën juridiksion të saj, do t’i bënte edhe investitorët e huaj pak më komodë, sepse gjyqësori nuk do të ketë mundësi më të sillet në mënyrë aq arbitrare siç sillet sot”, ka thënë ajo.
Hasani: Pranimi në KiE forcon edhe besimin ndaj gjyqësorit

Njohësja e të drejtave ndërkombëtare, Adelina Hasani, ka thënë se me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, do të rikthehet besimi në gjyqësorin “që aktualisht është i humbur”.
Ajo ka thënë se me theks të veçantë, anëtarësimi i Kosovës në KiE do të jetë i rëndësishëm për grupet e cenueshme.
“Për rikthimin e besimit në gjyqësor është e rëndësishme. Për neve ka rëndësi jetike sidomos për grupet e cenueshme anëtarësimi i KS në Këshill të Evropës”, u shpreh Hasani.
Istrefi: Letra me zotime u dërgua pas ndryshimit të raportit të Bakoyannis
Kushtrim Istrefi, ligjërues i të drejtave të njeriut dhe këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka thënë se letra me zotimet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u dërgua pas ndryshimit të raportit të zyrtares së KiE-së, Dora Bakoyannis.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” se në letër janë kryer disa modifikime, derisa ka shtuar se tash kanë mbetur edhe dy çështje.
“Janë tash edhe dy faza që kanë mbetur, në Asamble Parlamentare më 18 prill dhe më 17 maj në Komitet të Ministrave që të vendoset për anëtarësim”, është shprehur ai.
Si e fitoi Kosova betejën ligjore në KiE, shpjegon profesori Istrefi
Ligjëruesi i të drejtave të njeriut, Kushtrim Istrefi, i cili është edhe këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka shpjeguar se si Kosova e ka fituar betejën ligjore në Këshillin e Evropës.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Istrefi ka thënë se Kosova është përballur me një betejë të madhe ligjore derisa Zyra Ligjore e Këshillit të Evropës e ka nxjerrë një opinion ku sqarohet se Kosova nuk ka pengesa të trajtohet si shtet.
“Sfida e madhe ka qenë çështja ligjore nëse Kosova mund të konsiderohet si shtet për t’u bërë anëtare në Këshill të Evropës. Kemi pasur një betejë të madhe ligjore, ku në fund Zyra Ligjore e Këshillit të Evropës ka nxjerrë një opinion që sqaron se Kosova nuk ka pengesa për t’u trajtuar si vend, i cili mund të anëtarësohet në Këshill të Evropës”, ka thënë ai.
Istrefi ka treguar se si në momentin kur është dërguar kërkesa për anëtarësim, nuk ka qenë e mirëpritur as nga përkrahësit, për shkak të problemeve të brendshme të organizatës.
“Fillimisht nuk ka pasur një apetit të madh për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Në momentin kur është dërguar kërkesa nuk është mirëpritur si e tillë. Hezitimi më i madh ka qenë nga përkrahësit, nga të gjitha shtetet të cilat kanë menduar se ka qenë një periudhë e një sfide të madhe për Këshillin e Evropës, ka qenë periudha pas largimit të Rusisë, me thyerje të brendshme, me kriza të mëdha buxhetore, një organizatë që nuk është mësuar të ballafaqohet me thyerje dhe me vendime të mëdha, ku zakonisht vendimet janë marrë me një konsensus të gjerë, pa polemika shumë të mëdha dhe kjo ka qenë ndarja e parë dhe çështjet e para që i kemi adresuar kanë qenë se a e dëmton anëtarësimi i Kosovës unitetin e organizatës”, është shprehur ai.
Mushkolaj i jep merita të mëdha për KiE, ish-ministres greke Bakoyannis
Ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj, e ka lavdëruar raportuesen për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, për rolin e saj në votimin e raportit për anëtarësim në KiE.
Ajo ka thënë të enjten në “Konfront” se roli i saj është i njohur qysh prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke përmendur anëtarësimin e Kosovës në Bankën Ndërkombëtare dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Roli i Bakoyannis është i njohur për ne edhe pas shpalljes së pavarësisë kur nuk dihej rrugëtimi i Kosovës për t’u bërë pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Shtetet mbikëqyrëse kanë bashkëpunuar nbushtë me Bakoyannis për t’u anëtarësuar në Bankën Ndërkombëtare dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ishte ndërtimi i kuorumit. Bakoyannis e ka ndërtuar dhe ia ka mundësuar Kosovës që në pikat e rendit të ditës të shqyrtoheshin ato. Atë forum, Bakoyannis e ka ndërtuar personalisht”, ka deklaurar Mushkolaj.