Avokati Skender Musa, derisa ka folur për arrestimet në Serbi dhe Kosovë nën dyshime për krime lufte, ka thënë se disa prej këtyre arrestimeve në Kosovë mund të përdoren për qëllime politike.
Ai e ka përmendur rastin e fundit të arrestimit të dy personave nën dyshime për spiunazh me BIA-n e Serbisë, për çka ka thënë se ato informacione kanë ekzistuar edhe më parë, por arrestimi i tyre ndodhi në kohën kur janë afruar zgjedhjet.
“Janë disa situata, por jo të barabarta, joreciproke, ndodh edhe në Kosovë që përdoret për qëllime politike arrestimi i ndonjë serbi që dyshohet qoftë për krime lufte apo për ndonjë vepër tjetër penale. Ka raste, si tani që qe arrestimi i sotëm i të dyshuarve për spiunazh. Me siguri ato informacione kanë ekzistuar edhe më herët, por tash janë afruar zgjedhjet dhe është bërë arrestimi i tyre. Gjithçka është kampanjë e zgjedhjeve, në momentin që janë takuar kryetari i PDK-së dhe ai i Vetëvendosjes. E dimë që të gjitha partitë kanë filluar fushatën në mënyrë të heshtur”, ka thënë ai të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.
Lidhur me arrestimet e shtetasve kosovarë në Serbi, nën dyshimet për krime lufte, ai ka thënë se Kosova duhet të ofrojë ndihmë politike dhe të sigurojë avokatë në Serbi.
“Në Kosovë nuk ndodh të arrestohet dikush vetëm pse është serb, ndërkaq në Serbi po arrestohen vetëm pse janë shqiptarë. Kosova duhet të ofrojë ndihmë politike dhe të sigurojë avokatë në Serbi, konkretisht nga Oda e Avokatëve të Beogradit, që mbrojnë të drejtat e klientëve të tyre pa marrë parasysh nacionalitetin”, është shprehur ai.
Musa ka shtuar se lirimi i shqiptarëve të arrestuar nën këto dyshime nga Serbia, ka ndodhur vetëm pas presionit ndërkombëtarë.
“Policia e Serbisë natyrisht që është e politizuar dhe shumica e personave të liruar, janë liruar pas presionit të bërë nga faktori ndërkombëtar. Nuk mund të them që në raport me shqiptarët sistemi i drejtësisë në Serbi funksionon, por ka qenë pikërisht presioni i ndërkombëtarëve që i ka liruar dhe ky presion duhet të rritet. Institucionet tona duhet t’i alarmojnë ndërkombëtarët, ndërmjetësuesit që merren me çështjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, SHBA-në, por edhe vendet që i konsideron Kosova si vende mike”, ka thënë ai.