Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se intervistimi i personave si dëshmitarë mund të bëhet vetëm kur janë të sëmurë dhe s’mund të shkojnë në Prokurori.
“S’ka ndonjë dispozitë që parasheh intervistimin e kryeministrit në zyrën e tij dhe kjo nëse ndodh, do të ishte gabim edhe i prokurorisë e edhe i kryeministrit, pasi me këtë diktohet Prokuroria se ku do të intervistojë”, ka thënë Musa.
Ai u shpreh se Kurti po synon të nënshtrojë Prokurorinë Speciale, duke thënë se kjo mund t’i shtyjë edhe qytetarët e tjerë që në raste të tjera të kërkojnë të intervistohen pa u paraqitur në Prokurorinë Speciale.
“Nëpërmjet kësaj po synohet një lloj nënshtrimi i Prokurorisë, pasi nuk e përcakton në këtë rast kryeministri vendin se ku duhet të intervistohet. Në cilësinë e dëshmitarit, secili qytetarët është i obliguar të dëshmojë. Edhe kryeministri përfshihet këtu. Kur është jashtë vendit ka mirëkuptim për shtyrje të intervistimit, por nëse vazhdon me këtë lloj refuzimi do të jetë precedent i rrezikshëm pasi qytetarët mund të marri shembullin e tij dhe nuk do të paraqiten për intervistim”, ka deklaruar ai.
Musa ka theksuar se kryeministri Kurti po përpiqet të tregojë forcë politike ndaj Prokurorisë.
“Ftesa për të shkuar prokurorët në zyrën e kryeministrit është presion i pastër politik. Po përpiqet të tregojë forcë në raport me Prokurorinë, por s'është çështja e të treguarit forcë pasi të gjithë jemi të obliguar të përgjigjemi”, ka thënë Musa, derisa shtoi se meqë ka dyshime për keqpërdorim të rezervave shtetërore, mund të jenë përfshirë vartësit e tij.
“Nëse Kurti s’do të shkojë në Prokurori, por Prokuroria te Kurti, të gjithë të dyshuarit mund të thonë na intervistoni në zyrë”.