Arbëri

Musa: Faton Hajrizi s’kishte arsye të arratisej, u largua për të dëshmuar se e ka këtë aftësi

Avokati Skender Musa ka deklaruar se i arratisuri nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi, nuk ka pasur ndonjë arsye për t’u arratisur, por sipas tij, ai tashmë “ka krijuar imazhin dhe shprehinë e një njeriu që ka aftësi të arratiset”. Sipas Musës, të burgosurit që arrijnë të arratisen disa herë, e bëjnë qëllim që të shënojnë ndonjë rekord arratisjeje.

“Fatoni ka qenë në vuajtje të dënimit, ka kryer veprën penale ‘arratisje’ që është e dënueshme nga 6 muaj burgim deri në 3 vjet. S’ka pasur arsye të arratiset, burgu i Smrekonicës është gjysmë i hapur, ka pasur mundësi të punojë, të shkojë në vikende në shtëpi. Për Fatonin mendoj se ka krijuar imazhin e tij dhe si shprehi që të arratiset dhe të njihet si person që ka aftësi të arratiset”, ka deklaruar ai të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

Avokati Musa ka shtuar se të burgosurit e krijojnë “njëfarë lloj sporti për t’iu ikur grilave”.

“Në Smrekonicë është burgu i lehtë, pothuajse si të jesh në shtëpi. Aty s’e kanë të ndaluar të dalin të punojnë, janë në tip gati të hapur. Te Fatoni s’ka qenë çështja e mungesës së rehabilitimit, por e principit për t’u arratisur nga secili burg”, u shpreh ai.

Musa ka deklaruar se arratisje edhe më sfiduese për drejtësinë kosovare është ajo e Marko Roshiqit, i dënuar me 10 vjet burgim për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Sipas avokatit, Roshiq mund të jetë aktualisht në Serbi, çka autoriteteve kosovare ua vështirëson punën në kapjen e tij, ndonëse shtoi se i arratisuri s’mund të qëndrojë në një vend “e posa të largohet mund të kapet në kufi”.

Ai foli edhe për arratisjen e Enver Sekiraqës, i dënuar nxitje të vrasjes të policit Triumf Riza.

“Duhet të merret parasysh pesha e veprës penale. Gjykata nuk e ka vlerësuar drejt mundësinë e ikjes së Sekiraqes dhe Roshiqit. Në sistemet demokratike niveli i përgjegjësisë është i zorshëm, pasi Gjykata Themelore vendos sipas vullnetit të lirë. Nëse vërtetohet vendimi, Apeli është departamenti që merret me dërgimin në vuajtje të personave të dyshuar. Marko Roshiq, nëse dyshohej se ka marrë pjesë në organizimin e vrasjeje, që është vepër e rëndë, është dashur të merret kjo si rrethanë e rëndë dhe të vlerësohet edhe pjesa reale e vendit ku jeton”, është shprehur ai.

Musa ka potencuar tutje se sistemi i drejtësisë diskriminon qytetarët, kur të pandehurit për vepra më të rënda i lë të mbrohen në liri, e të pandehurit për vepra më të lehta ua cakton paraburgimin.