Profesori i diplomacisë, Valon Murtezaj ka thënë se letra e Ministrisë së Punëve të Jashtme drejtuar Këshillit të Evropës ku thuhet se Qeveria po përgatitë një draftstatut për Asociacionin, të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit, nuk ka efekt.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Murtezaj ka thënë se letra e kryediplomates Donika Gërvalla ka qenë e panevojshme dhe tregon shenja të moskoordinimit të institucioneve në fushën e politikës së jashtme.
“Çdo letër do të kishte efekt nëse do të kishin folur për të kaluarën që “e kemi bërë”, prandaj letra e sotme, nuk dua ta zhvlerësoj në kuptimin që pse është shkruar apo jo, megjithatë efekti i saj në agjendën e punës së Komitetit ministerial të Ministrave të Jashtëm nuk do të ndikojë. Çdo vendim që merret nesër, nuk është se është rezultat i letrës së fundit. Letra nga MPJ-ja nuk do të ketë ndonjë efekt dhe ka qenë e panevojshme, ajo tregon edhe një shenjë jo të mirë të moskoordinimit midis institucioneve sidomos në fushën e politikës së jashtme”, ka thënë ai.
Murtezaj ka shtuar se mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është dështim edhe i Bashkimit Evropian.
“Ky është edhe një dështim edhe i palës së Bashkimit Evropian, megjithatë për të konkluduar se a është dështim i të dyja palëve, mungojnë disa informacione që asnjëherë nuk janë shpalosur nga Qeveria e Kosovës për publikun”, ka deklaruar Murtezaj.
Ai tutje ka thënë se është koha e fundit që e gjithë politika në Kosovë, përfshirë pushtet e opozitë, duhet të punojnë bashkë kur bëhet fjalë për çështje madhore si anëtarësimi në KiE, sepse lëndohet interesi nacional i Kosovës.
“Si anëtarësimi potencial, si mosanëtarësimi do t’i ketë pasojat e veta. Nëse anëtarësimi në KiE dështon për shkak të këtij korrelacioni me procesin e dialogut, natyrisht që edhe procesi i dialogut do të ndikohet nga konsekuenca e situatës së re, mosanëtarësimit apo anëtarësimit në KiE”, ka theksuar Murtezaj.