Arbëri

Murtezaj: Këngëtarët dhe kameramanët e dasmave kanë obligime tatimore

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj në një intervistë për KosovaPress, ka folur për sektorët e bizneseve të cilat dyshohet se kanë shkallën më të lartë të evazionit fiskal, si ndërtimtaria, gastronomia, hoteleria, turizmi, restorantet, e po ashtu edhe përdoruesit e rrjeteve sociale si Facebooku, Instagrami, Tik-Toku.

Murtezaj ka thënë se tashmë ATK-ja ka marrë një sërë veprimesh duke përgatitur një projekt për vitin 2022, ku do të kontrollohen të gjitha organizimet e ahengjeve që brenda tyre ka akterë të shumtë siç janë këngëtarët, grupet muzikore, kameramanët, të cilët do të paguajnë obligim tatimor për të hyrat që do t’i gjenerojnë gjatë punës së tyre.

Drejtori i ATK-së ka theksuar se nuk do të lejohen ndërhyrje e personave brenda ATK-së, për t’i ndihmuar bizneset që t’iu shmangën tatimit.

Administrata Tatimore e Kosovës tashmë është pajisur me softuerët të marrë si donacion nga Britania e Madhe, që ua mundësojnë marrjen e informacioneve për bizneset që iu shmangën tatimit.

“Argument tjetër është pjesa e zhvillimit të përfitimit të mbështetjes nga ana e Mbretërisë së Bashkuar me softuerë të veçanta, softuerë këto që na kanë krijuar mundësinë që të shfrytëzojmë burime të ndryshme të informatave, për shembull është njëri prej softuerë është pjesa e burimit të informatës e cila shfrytëzohet nga rrjetet sociale siç janë Facebook, Instagram, Tik-Tok etj, ku këto informata janë duke u përpunuar nga këto sofuera. Zyrtarë tonë të inteligjencës financiare dhe përmes rezultateve të këtyre informatave dërgohen në operativ te inspektorët e operativës dhe bëhen vlerësimet tatimore aty ku konstatohet që ka shmangie tatimore apo qarkullim të pa deklaruar”, tha Murtezi.

I pari i këtij dikasteri ka thënë për KosovaPress, se të gjithë akterët që përfshihen në organizimin e dasmave, këngëtarët, kameramanët, grupet muzikore dhe përgatitësit e ushqimit, do të kenë obligim ta paguajnë tatimin.

“Në një restorant i cili bën organizim të dasmave, synimet tona janë që përveç atij organizimi, organizatori i asaj dasme po mendoj pronari i restorantit që e ka organizuar, ka edhe akterë të tjerë të cilët nëse mundë t’i quajmë kontraktorë ose si palë të tjera ndërlidhëse, të cilët zhvillojnë aktivitete dhe krijojnë fitime, siç janë këngëtarët, grupet muzikore, kameramanët, ata që mund të organizojnë përgatitjen e ushqimit dhe të tjera që të gjitha këto e bëjnë në vetvete një detyrim tatimor. Nga e kaluara rezultatet ose vlerësimet tona dalin që ka pasur shmangie të konsiderueshme nga ana e bizneseve dhe individëve për mospagesë të tatimeve” theksoi Murtezi.

I gjithë ky projekt dhe rritje e masës së sigurisë ndaj bizneseve që gjenerojnë të hyra vjetore, Ilir Murtezaj ka thënë se është vetëm për të kuptuar bizneset se janë të obligueshëm ta kryejnë detyrimin që kanë ndaj shtetit.

Në prill 2022, në raport me periudhën e njëjtë për vitin e kaluar ATK, ka thënë se ka një rritje të të hyrave për rreth 68.5 milionë euro apo shprehur në përqindje mbi 34%. Ndërsa në raport me planin vjetorë, gjithashtu ka tejkalim të planit mbi 17% apo 40 milionë euro, ndërkaq totali i mbledhjes të hyrave të ATK-së gjatë kësaj periudhe katër mujore është 269.5 milionë euro./KSP