Që nga ora gjashtë e mëngjesit të së enjtes banorëve të 204 njësive banesore e afariste të ‘’Prishtina Stars’’ në “Kalabri” iu desh të bënin rojë në oborrin e kësaj lagjeje.
Ata po kundërshtonin rrënimin e murit rrethues të objekteve ku jetojnë nga ekskavatorët e kompanisë “Konak”.
Këtu, përveç banorëve, u panë edhe njësite të Policisë së Kosovës, si dhe inspektorë komunalë
Rrënimi i murit banorët thanë se po tentohet të bëhet pa leje.
Flutura Kusari, përfaqësuese e këshillit banesor, thotë se në vitin 2017 Ministria e Ambientit u pati dhënë të drejtë atyre e jo kompanisë.
‘’Kemi pesë vite që përdorim mjete juridike në mënyrë që ta mbrojmë lagjen nga shkatërrimi. Kompania ‘’KONAK’’ e cila ka ndërtu këtë ndërtesën këtu kërkon që të thyej murin në mënyrë të kundërligjshme, sot është hera e parë që kanë marrë vendime konkrete duke e sjellë një bager*, mirëpo, për fat të mirë inspektorati e ndaloj një gjë të tillë sepse nuk kanë leje për rrënim të murit rrethues. Ne kemi vendim nga Ministria e Ambientit e cila e mbron këtë lagje dhe e cila ja ndalon kompanisë KONAK që të shfrytëzoj pronën e përbashkët. Ne i bëjmë thirrje ministrit kuqi që të mbroj lagjen tonë sepse është në duart e tij dhe në kompetencat e tij që të ruaj këtë lagje. Është një ndër lagjet më së miri të organizuara në qytet’’ tha Kusari.
Kusari shton se ndërtimi i objekteve të tjera nuk ishte në planin fillestar të kompanisë.
‘’Kur ne kemi ble banesat kjo lagje kishte vetëm tri banesa dhe ka dokumente që e dokumentojnë këtë. Sidomos katalogët qe i ka përgatit kompania. Mirëpo sigurisht apetitet e kompanisë janë rritur dhe tash dëshiron që të shfrytëzoj pronën tonë të përbashkët në mënyrë që të ketë qasje në këtë lagje. Rreziku nuk është vetëm prej kësaj ndërtese por edhe i të tjerave që vijnë rreth e rrotull do të kërkojnë qasje në kahe tonë dhe kjo lagje përfundimisht do të shkatërrohet’’ shtoi ajo.
Sipas saj, ‘’Konaku’’ nuk ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës 30-ditore, pasi Ministria ua dha të drejtën banorëve.
Deri më tash thonë se kompania nuk ka paraqitur para tyre asnjë lloj vendimi që ua lejon atyre këtë intervenim.
Mirëpo sipas avokatit të kompanisë ‘’Konak’’, Valon Blakaj, ata nuk kanë ndërmarrë asnjë vendim ta paligjshëm.
Ai tha se ata posedojnë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe se nuk kanë pasur nevojë të depozitojnë ankesë për shkak se konflikti administrativ ka qenë mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ambientit.
‘’Nuk kemi shkuar pa një vendim, ne e kemi vendimin e plotfuqishëm. E kemi pritur vendimin 30 ditë për shkak të konfliktit administrativ mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ambientit. Komuna e ka pasë me e iniciua, ata nuk e kanë bërë këtë e në momentin që nuk iniciohet ankesa, vendimi e merr formën e prerë. Banorëve nuka ua kemi tregu vërtetimin sepse ata s’janë palë e procedurës”, tha ai.
E zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit në Prishtinë përmes telefonit kanë thënë se kompania ‘’Konak’’ të tërë murin rrethues në lagje e ka pa leje dhe se një situatë e tillë nuk është zgjidhur ende.
Kurse nga Ministria e Ambientit kanë thënë se përgjegjësia për ndërhyrjet në këtë lagje bie mbi Drejtorinë e Urbanizmit në Kryeqytet.
‘’Lidhur me këtë rast, Drejtoria për Urbanizëm, Komuna e Prishtinës, është e obliguar të veprojë sipas Lejes ndërtimore 05 Nr. 351-112758, datë 23.2.2016, për ndërtimin e objektit “D” në kuadër të këtij kompleksi “Prishtina Stars”, dhe nuk cenohet asnjë e drejtë e banorëve të kompleksit duke respektuar kontratën mbi shitblerjen në mes të investitorit dhe pronarëve të njësive banesore. Në rastin konkret, kompania “KONAK” është e obliguar t’i përmbahet Lejes ndërtimore 05 Nr. 351-112758, datë 23.2.2016, të lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm, Komuna e Prishtinës, kurse për verifikimin se a është ndërtuar sipas Lejes ndërtimore apo ka bërë shkelje nga kjo kompani, kompetenca bie mbi organet komunale të Prishtinës, ku nga e njëjta drejtori i janë caktuar pikat e ndërtimit për ndërtimin e objektit “D” në kuadër të kompleksit “Prishtina Stars”, tha Ministria e Ambientit.
Banorët thonë se njëjtë do të kundërshtojnë sa herë që ka tentativa të njëjta.