Arbëri

Murati për tatimin në pronë: Lojë e komunave, kanë afat deri më 16 shtator ta miratojnë zbritjen

Lojë të komunave dhe Asociacionit të Komunave e ka cilësuar ministri i Financave, Hekuran Murati, kërcënimin që këto institucione ia bënë Qeverisë me dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të Ligjit për tatimin në pronë.

Asociacioni njoftoi të mërkurën se komunat pritet ta dërgojnë këtë ligj në Kushtetuese me arsyetimin se si pasojë e tij, kryesisht për faljen deri të 100 eurove nga tatimi në pronë për qytetarët, do të humbin miliona euro.

Ministri Murati në konferencë për media, ka thënë se komunat kanë afat deri më 16 shtator të marrin vendim për zbritjen dhe se gjithçka është në përgjegjësinë e kuvendeve komunale.

“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Komunat apo kuvendet komunale e kanë të domosdoshme të marrin vendime 30 ditë pas hyrjes në fuqi, data e fundit pra 16 shtator. Pra tash u takon kuvendeve komunale që deri më 16 shtator ta miratojnë zbritjen për qytetarët e secilës komunë. Kjo po ashtu përkon me afatin e këstit të dytë, që është 30 shtator. Pra më 16 shtator secili qytetar mund ta dijë sa prej tatimit në pronë do t’u falet nga komuna e tyre. Kjo tashmë ekziston dhe ka bazë ligjore për të. Duhet të merret vendimi nga komunat”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, te Asociacioni i komunave, i dominuar nga partitë opozitare, “ka një lloj hipokrizie në vetvete”.

“Është vetëm lojë e disa prej komunave në këtë rast edhe e Asociacionit, që në njërën anë pretendojnë se kanë hallin e qytetarëve dhe kërkojnë të ulet barra për qytetarin e kur Qeveria bën hap të tillë e kundërshtojnë pastaj. Duket absurde edhe dërgimi në Kushtetuese sepse Qeveria s’ka asnjë ndërhyrje në këtë aspekt. Përkundrazi, e gjithë vendimmarrja është në nivel komunal”, ka thënë Murati.

Ai ka deklaruar se komunat s’mund të ankohen për dëmtime të buxhetit, pasi sipas tij, tashmë kanë të hyra deri në gusht, aq sa kishin tërë vitin e shkuar.

“Nëse kërkesa ka qenë që duhet të ulet barra tatimore për qytetarët, ne ua kemi mundësuar me këtë ligj. E tani janë pikërisht komunat që kishin kërkuar të lehtësohet barra e qytetarëve, që po e kundërshtojnë këtë masë. Si Qeveri ua kemi mundësuar me anë të ligjit dhe komunat duhet të vendosin deri më 16 shtator sa i përket kësaj çështjeje. Sa i përket asaj se a dëmtohet buxheti, po ashtu deri më 22 gusht... ishin 32 milionë euro të hyra të komunave. Tërë vitin e kaluar kanë qenë 34.5 milionë euro. Në gusht, ende pa përfunduar muaji, jemi në nivelin e tërë vitit të kaluar. S’mund të flitet për dëmtim të buxhetit komunal sepse tashmë kanë mbledhur e që besoj se deri në fund të gushtit do ta kalojnë tërë vitin e kaluar. Çfarëdo falje që bëhet e këstit të dytë nuk e dëmton buxhetin e komunave, sepse vetë kanë thënë që u janë rritur të hyrat. Pasi që për disa qytetarë ka pasur rritje të vlerësimit të pronës, rrjedhimisht edhe e faturës, kanë pasur edhe komunat rritje më shumë. Pra përtej asaj që kanë pritur”, ka thënë Murati.

Ai ka thënë se Kushtetuesja s’ka arsye të marrë masë të përkohshme për të pezulluar ligjin.