Arbëri

Murati për kontratat kolektive: Nga 35.8 mln euro detyrim për dy muaj këtë vit, 10.2 mln janë tarifa të përmbaruesve

Hekuran Murati ne konference per media (Foto: Alban Bujari)

Hekuran Murati

Foto: Alban Bujari

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se mbi 10 milionë euro do të shkojnë në xhepin e përmbaruesve nga borxhi total prej 35.8 milionë euro për kontratat kolektive vetëm gjatë këtij viti. Murati ka shprehur shqetësimin duke thënë se përmbaruesit kanë abuzuar me këto tarifa.

Ende pa përfunduar muaji shkurt, siç ka shkruar Murati, janë dorëzuar 23.118 lëndë përmbarimore kundër komunave në Thesarin e Shtetit për shkak të kontratës kolektive, që ai konsideron se është nënshkruar kundër ligjit.  

Shuma e kërkuar për përmbarim, sipas Muratit, ka arritur në 35.8 milionë euro vetëm gjatë këtij viti, ku 25.6 milionë janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa 10.2 milionë euro përbëjnë tarifat e përmbaruesve.

“Një tjetër shqetësim mbetet edhe abuzimi i përmbaruesve me tarifat, ku në disa raste ato tejkalojnë vlerën e vetë borxhit që përmbarohet”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ministri në detyrë ka thënë se dëmi buxhetor për kontratat kolektive ka tejkaluar 100 milionë euro prej kur Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2022 u dha të drejtë mësimdhënësve që të marrin benefitet nga kontrata kolektive. 

Murati ka shtuar se është e çuditshme pse deri më tash  nuk është raportuar për ndonjë hetim nga Prokuroria ndaj personave që “nënshkruan paligjshëm” këtë kontratë dhe shkaktuan dëmin e madh financiar.

Asociacioni i Komunave herë pas herë ka reaguar duke bërë thirrje që të gjendet zgjidhje për kontratën kolektive pasi komunat janë buzë kolapsit financiar. Komunat marrin para nga investimet kapitale për t’i paguar kontratat kolektive të punëtorëve, kryesisht në arsim. Kontrata kolektive parasheh shtesë mbi pagën bazë të mësimdhënësve, si përshembull shkaku i përvojës së punës apo të tjera.

AKK - Qeverisë: Ndalojeni kolapsin financiar, komunat rrezikojnë të mbesin pa mjete për investime kapitale

1 muaj më parë / 25 shk 2025 18:36
Sazan Ibrahimi

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka reaguar sot ndaj Qeverisë së Kosovës duke thënë se "komunat po rrezikohen që të mos i zbatojnë projektet kapitale në vitin 2025".
Sipas AKK-së kjo po ndodh pasi që Qeveria nuk është duke i përkrahur komunat sa i përket zbatimit të Kontratës kolektive dhe kësisoj, përveç rrezikut që komunat të mos kenë mjete për investime kapitale, atyre u rrezikohet që t’iu mbyllen xhirollogaritë bankare dhe që shumë projekte të parapara me buxhetet komunale të mos zbatohen.

“Qeveri ndalojeni kolapsimin financiar të komunave dhe gjakderdhjen financiare. Komunat rrezikohen që të mos zbatojnë projekte kapitale në vitin 2025 dhe mbylljen e xhirollogarive të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është duke i përkrahur komunat sa i përket zbatimit të kontratës kolektive dhe me këtë rast komunat rrezikojnë që të mos kenë mjete për investime kapitale, që t’iu mbyllen xhirollogaritë bankare dhe që shumë projekte të parapara me buxhetet komunale të mos zbatohen”, thuhet në komunikatën e Asociacionit, raporton “KosovaPress”.

Për më tepër thuhet se “kjo vjen si pasojë e neglizhencës së institucioneve qendrore të cilat për disa vite nuk janë duke i marrë parasysh kërkesat e komunave”.

“Që në fillim të këtij viti vetëm disa komunave iu kanë shkuar faturat mbi 35 milionë euro, ku mbi 25 milionë euro janë borxh ndaj përfituesve, ndërsa mbi 10 milionë euro janë tarifat për përmbaruesit e që me një vendim të Qeverisë apo Kuvendit të Republikës së Kosovës kjo gjakderdhja financiare që është mbi 10 milion euro të deritanishme mund të ndalohet. Këto janë mjete të taksapaguesve të Republikës së Kosovës dhe po që se Qeveria do të menaxhonte procesin si duhur, atëherë tarifat për përmbaruesit nuk do të ndodhnin”, thuhet në komunikatë.

Në vijim sipas AKK-së janë vetëm disa komuna që kanë pranuar vetëm në vitin 2025 faturat për zbatim të kontratës kolektive: Ferizaj 9.5 milionë euro, Prizreni 5.5 milionë euro, Lipjani 3.8 milionë euro, Malisheve 2.6 milionë euro, Rahovec 2.1 milionë euro, Viti 2.1 milionë euro, Mitrovicë 1.7 milionë euro, Skenderaj 1.6 milionë euro, Kaçanik 1.5 milionë euro, Gjakova me 1.4 milionë euro dhe Suhareka 1.3 milionë euro.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në një postim në Facebook ka shprehur shqetësim për tarifat e përmbaruesve. 

“Një tjetër shqetësim mbetet edhe abuzimi i përmbaruesve me tarifat, ku në disa raste ato tejkalojnë vlerën e vetë borxhit që përmbarohet”, ka shkruar Murati në Facebook.
Murati ka shtuar se është e çuditshme pse deri më tash  nuk është raportuar për ndonjë hetim nga Prokuroria ndaj personave që “nënshkruan paligjshëm” këtë kontratë dhe shkaktuan dëmin e madh financiar.