Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani që kërkoi nga Qeveria t’i heqë tarifat ndaj importeve prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se kërkesa e presidentes u bë publike në mediat sociale vetëm tre minuta pasi iu dërgua Qeverisë.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar ai në Facebook.
E Murati ka thënë se shteti serioz këto çështje i trajton larg mediave “dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi”.
“Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, ka shkruar tutje ai.
Murati tutje ka thënë se marrëveshja për tregti të lirë me SHBA-në është diskutuar qysh në vitin 2023 në Washington, apo edhe në takimet e kryeministrit Albin Kurti me ish-ambasadorin amerikan. Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme për marrëveshje të tillë me SHBA-në.
“Gatishmëria jonë si qeveri dhe si shtet për të pasur tregti të lirë e pa asnjë barrierë tarifore apo jo-tarifore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të qëndrojë edhe më tej. Gjatë ditës së djeshme, kemi diskutuar me Kryeministrin në lidhje me implikimet e mundshme që ka vendimi i Presidentit Trump për vendosjen e tarifave ndaj të gjitha shteteve me të cilat SHBA-të kanë raporte tregtare. Fatmirësisht, Kosova bën pjesë në grupin e shteteve që u është vendosur shkalla tarifore minimale prej 10%. Marrë parasysh edhe vëllimin e vogël tregtar që kemi, impakti financiar i pasjes apo jo të një regjimi tarifor ka ndikim të vogël në ekonominë tonë”, ka shtuar Murati.
Murati ka deklaruar po ashtu se Kosova e mbështet parimin e vendosur nga Trumpi për tregti të lirë, pa barriera dhe fer.
“Kjo mund të arrihet përmes një marrëveshjeje për tregti të lirë, që do të shërbente edhe si një shkallë shtesë drejt ngritjes e forcimit të marrëdhënieve të forta që tashmë kemi. Shfrytëzoj rastin përmes këtij postimi që të njoftoj Presidenten, por edhe qytetarët, që si kabinet qeveritar ne veçse kemi qenë duke e shqyrtuar këtë temë. Dhe kurdo që merret një vendim patjetër që do t’ju njoftojmë me kohë”, ka përfunduar ai.
Më herët gjatë ditës, Osmani njoftoi se ka kërkuar nga Qeveria t’i pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga SHBA-ja. Ajo u shpreh se kjo është me qëllimin që të dërgohet mesazhi se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka thënë se ato do të hyjnë në fuqi në mesnatë (nga e enjtja).
Në listat e publikuara të shteteve që SHBA-ja u ka vënë tarifa, figuron edhe Kosova me 10 për qind tarifa. Edhe vendet e tjera të rajonit figurojnë me këtë përqindje tarifash: Shqipëria 10%, Mali i Zi 10%, Serbia 37%, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja e Hercegovina 35%.