Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka shpjeguar të premten në një konferencë për media se pjesa më e madhe e rritjes së faturave të tatimit në pronë krijohet nga tatimi i tokave.
Murati ka thënë se sipas nenit 7 të Ligji për Tatimin në Pronë i cili ka hyrë në fuqi më 26 janar të vitit 2018, në vitin e pestë të zbatimit të ligjit, hyn në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Viti i pestë sipas Muratit i binte të ishte pikërisht viti 2023, që sipas tij, ka hyrë edhe automatikisht në fuqi ky vendim.
“Këtu duhet të kthehemi tek Ligji që ka qenë në vitin 2018 për Tatimin në pronë. Ky Ligj ishte miratuar nga Qeveria Mustafa, më 4 maj 2017 kur ministër i Financave ka qenë Hoti. Ky Ligj nuk arriti të miratohej në Kuvend dhe të hyjë në fuqi sepse Qeveria kishte rënë, një javë më vonë. I njëjti ligj është proceduar në qeverinë Haradinaj dhe më 26 janar 2018 është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. Ky ligj i ka caktuar disa afate dhe disa kushte që i obligojnë institucionet të respektohen. Ky Ligj sipas nenit 7 ka paraparë që në vitin e 5-të të zbatimit të ligjit të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave. Prej hyrjes në fuqi kanë filluar të tatimohen edhe tokat sepse njëherë kanë qenë vetëm ndërtesat. Viti 2023 është kur tatimi në toka aplikohet në vlerën 100 për qind, domethwnw këtë e obligon ligji. Ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 se tokat duhet të tatimohen dhe pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, ka shpjeguar Murati.
Ai ka shtuar se arsyeja e dytë e rritjes së faturave në tatimin në pronë ka të bëjë me vlerësimin e pronave rezidenciale dhe shkallën tatimore.
“Arsyeja e dytë ka të bëjë me vlerësimin e pronave rezidenciale dhe shkallën tatimore. Ligji obligon dy palë për vlerësim, obligon Ministrinë e Financave që të bëjë vlerësimin me automatizëm e që me udhëzimin administrativ të nënshkruar në vitin 2018 kur ministër ka qenë Bedri Hamza, rivlerësimi për pronat rezidenciale të bëhet çdo tri vite pas vlerësimit fillestar. Kushti i dytë ka të bëjë me shkallën tatimore që obligon komunat që të përcaktojnë shkallën tatimore sipas nenit 9. Neni 9 thotë se shkallët tatimore përcaktohen për llojet e pronave dhe ka një interval prej 0.15% për qind deri në 1 për qind që komunat mund ta përcaktojnë për të rritur. Meqë një pjesë e madhe e komunave kanë qenë nën pragun ligjor prej 0.15 për qind e kanë pasur të pamundur që të shkojnë më poshtë. Ka pasur disa vërejtje nga tri komunat që janë adresuar. Vlerësimi i ri mundëson një vlerë reale qoftë edhe për vetë qytetarët kur i duhet për ta lënë si hipotekë në bankë ose për çështjen të trashëgimisë”, ka shtuar ai.
Murati ka thënë se ajo që mund të bëjë Qeveria është që ta shtojë një dispozitë në ligj ku përfshihet edhe viti aktual për tatim në pronë në mënyrë që t’u lehtësohet barra qytetarëve.
“Çështja tjetër është përfshirja e të gjitha tokave, pasi kemi pasur rast në ligjin aktual më 2018 në emër të tokave bujqësore është parandaluar tatimi i personave që kanë privatizuar qindra hektarë përmes procesit të privatizimit. Gjatë vlerësimit kemi pa edhe raste ose prona që s’kanë qenë fare të regjistruara për tatim, p.sh në Prishtinë është identifikuar një ndërtesë 20 katëshe që nuk është regjistruar fare për tatim”, ka thënë ai.
Murati ka theksuar se Qeveria do të jetë e gatshme të mbështet çfarëdo kërkese të komunave mbi tatimin në pronë, teksa ka përmendur se kryetari i Prishtinës ka qenë i kënaqur me vlerësimin e pronave.
“Si Qeveri dhe ministri jemi të gatshëm që në kuadër të ligjit të ri të përfshijmë edhe dispozita kalimtare që trajtojnë edhe vitin aktual, por meqë këto janë të hyra të komunave u takon komunave të tregojnë çfarë duan të bëjnë. Ne jemi të gatshëm të mbështetim çfarëdo kërkese që kanë komunat për uljen e tatimit të vitit aktual, qoftë duke shku për të gjithë njësoj, qoftë duke marrë një përqindje të rritjes për ta falur si tatim që të mos ngarkohen qytetarët. Ka qenë e padrejtë nga disa komuna që e kanë bërë politike këtë gjë”.